KORREKT / SOT23 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Kulture

Pesë filma për Krishtlindje që ia vlen t’i shikoni këtë fundvit

Pesë filma për Krishtlindje që ia vlen t’i shikoni këtë fundvit

Me afrimin e festave të fundvitit, kinemaja bëhet një prej mënyrave më të këndshme për ta shijuar atmosferën e Krishtlindjeve. Mbrëmjet e ftohta, dritat festive dhe koha e kaluar me familjen apo miqtë krijojnë hapësirën e duhur për t’u rikthyer te filmat që ndër vite kanë fituar një vend të veçantë në kujtesën e publikut.

Nga përzgjedhja e Rotten Tomatoes për filmat më të mirë të Krishtlindjeve, kemi veçuar pesë tituj që sjellin histori të ndryshme, por që bashkohen përmes frymës festive, emocioneve dhe mesazheve që përcjellin.

Një prej tyre është Klaus (2019), filmi i animuar që e rrëfen magjinë e Krishtlindjeve përmes një historie mbi mirësinë dhe bujarinë. Rrëfimi ndjek Jesperin, një postier të ri që dërgohet në një qytet të largët e të mbuluar nga dëbora, ku takon Klausin, një marangoz të vetmuar që krijon lodra. Një marrëveshje mes tyre shndërrohet në një histori që ndryshon jetën e banorëve të qytetit, duke dëshmuar se ndonjëherë një gjest i vogël mund të sjellë ndryshime të mëdha. Me animacionin e veçantë dhe atmosferën përrallore, filmi rikthen ndjenjën e mrekullisë që e shoqëron këtë periudhë të vitit.

Në një tjetër frymë, Home Alone (1990) mbetet një prej komedive që vështirë të mungojë në ekranet televizive gjatë festave. Filmi i regjisorit Chris Columbus, me Macaulay Culkin në rolin e Kevin McCallisterit, sjell aventurën e një fëmije që aksidentalisht mbetet vetëm në shtëpi, pasi familja e tij niset për pushime. Qetësia e tij ndërpritet kur dy hajdutë përpiqen të hyjnë në shtëpi, duke e detyruar Kevinin të mbrojë hapësirën e tij përmes një sërë kurthesh kreative dhe situatash plot humor. Përtej të qeshurave, filmi ruan një mesazh të ngrohtë për rëndësinë e familjes dhe njerëzve që kemi pranë.

Për ata që kërkojnë një rrëfim më të thellë njerëzor, The Holdovers (2023) ofron një perspektivë ndryshe mbi festat. Me regji të Alexander Payne dhe interpretimin e Paul Giamattit, filmi zhvillohet gjatë pushimeve të Krishtlindjeve në një shkollë me konvikt në New England. Një profesor i rreptë detyrohet të qëndrojë aty për t’u kujdesur për nxënësit që nuk kanë ku të shkojnë. Gjatë ditëve të kaluara së bashku, ai krijon një lidhje të papritur me një nxënës dhe me kuzhinieren e shkollës. Përmes vetmisë, humbjes dhe mirëkuptimit, filmi ndërton një histori të ndjeshme mbi njerëzit që, ndonëse në fillim duken të largët, mund të gjejnë te njëri-tjetri një formë të re afërsie.

Ngrohtësia familjare dhe ëndrrat personale janë në qendër edhe të Little Women (2019), filmit të regjisores Greta Gerwig, bazuar në romanin e njohur të Louisa May Alcott. Përmes jetës së katër motrave March, interpretuara nga Saoirse Ronan, Florence Pugh, Emma Watson dhe Eliza Scanlen, filmi eksploron dashurinë, sakrificën, ambicien dhe dëshirën për pavarësi. Skenat dimërore dhe momentet e përbashkëta familjare i japin rrëfimit një atmosferë të veçantë, ndërsa historia e motrave mbetet një reflektim mbi rritjen, ndryshimet dhe lidhjet që i rezistojnë kohës.

Ndërsa për ata që dëshirojnë t’i rikthehen klasikëve të kinemasë, It’s a Wonderful Life (1946) mbetet një zgjedhje që nuk e humb rëndësinë e saj. Nën regjinë e Frank Capras, filmi ndjek George Bailey-n, një njeri që në prag të Krishtlindjeve përballet me një krizë të thellë personale dhe fillon të vërë në dyshim vlerën e jetës së tij. Një engjëll i shfaqet për t’i treguar se si do të dukej bota nëse ai nuk do të kishte ekzistuar kurrë. Përmes këtij udhëtimi emocional, filmi sjell një mesazh mbi shpresën, solidaritetin dhe ndikimin që secili njeri mund të ketë në jetën e të tjerëve.

Nga animacioni dhe komedia te dramat familjare dhe klasikët që i kanë rezistuar kohës, këta pesë filma dëshmojnë se Krishtlindjet në kinema nuk kanë vetëm një formë. Ato mund të jenë një aventurë plot të qeshura, një histori që na prek ose një kujtim që na rikthen te njerëzit më të dashur. Në fund, ndoshta pikërisht kjo është magjia e filmave festivë: aftësia për të na bërë të ndalemi për pak çaste dhe ta përjetojmë ndryshe kohën që kalojmë së bashku. /KultPlus

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.