Përzgjedhësi i Kombëtares së Shqipërisë, Rolando Maran, ka folur pas ndeshjes, duke komentuar paraqitjen e skuadrës dhe menaxhimin e forcave në një seri ndeshjesh të ngjeshura.
Maran u shpreh se skuadra është dashur të ruajë energjitë, ndërsa theksoi se, pavarësisht se mund të bëhej më shumë në aspektin e paraqitjes, është i kënaqur me rezultatin.
“Mendoj se ka qenë një formë për të kursyer edhe forcat. Janë katër ndeshje njëra pas tjetrës. Jam i lumtur për rezultatin, mund të kishim bërë më tepër për paraqitjen”.
“Kemi pasur posedimin e topit, mund të ishim futur më mirë në pjesën e dytë dhe të kishim krijuar më shumë raste. Në total jam i lumtur”.
Trajneri italian foli edhe për vështirësitë që sjellin ndeshje të tilla, duke përmendur edhe rezultatin 0-7 të Finlandës ndaj San Marinos, për të cilën tha se edhe ajo pati probleme në fazën e fundit të aksioneve.
“Janë disa ndeshje ku në fakt janë edhe emocionet e një debutimi të tillë. Ndeshje të vështira, i kanë menaxhuar mjaftueshëm mirë. Nuk ka kundërshtar të thjeshtë në raste të tilla. Edhe Finlanda pati vështirësi në centimetrat e fundit ndaj San Marinos”.
Maran sqaroi se disa prej zëvendësimeve ishin bërë edhe për të menaxhuar lojtarët dhe për të shmangur rreziqet, duke marrë parasysh ngarkesën e ndeshjeve.
“Jemi ruajtur pak. Për shembull, Kristjan Asllani kishte një karton. Pas pjesës së parë u zëvendësua edhe Gjimshiti. Është çështje e menaxhimit të skuadrës”, përfundoi trajneri i Kombëtares.
Përndryshe, Shqipëria në përballjen e radhës do të luajë ndaj Finlandës, që shihet si kundërshtari kryesor për promovim në Ligën B./Telegrafi/