Kanë përfunduar punimet për ndërtimin e urës në fshatin Dugajevë.
Në përurimin e urës morën pjesë Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Zef Morina, dhe kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, raporton IndeksOnline.
Sipas njoftimit të ministrisë, projekti u realizua në bashkëpunim me Komunën e Klinës dhe ka vlerë të përgjithshme prej 439.903 eurosh, prej të cilave 415.043 euro janë financuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit.
“Ura e re ua lehtëson lëvizjen e përditshme banorëve të Dugajevës dhe mundëson kalim më të sigurt për të gjithë ata që e përdorin këtë rrugë”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, Morina, përmes një postimi në Facebook, tha se në emër të ministrit Dimal Basha, i falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen dhe mbështetjen, duke i siguruar se investimet në infrastrukturë do të vazhdojnë edhe në projekte të tjera, në kuadër të programit qeverisës të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
“Bashkëpunimi institucional dhe investimet konkrete janë garanci për zhvillim dhe përmirësim të mirëqenies së qytetarëve”, ka shkruar ai.

