Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se është arritur dakordim me shumicën parlamentare që Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të procedohet për miratim në Kuvend, por pa ndryshime në këtë fazë.
Duke folur në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, ku po shqyrtohet vendimi i Presidentes për kthimin në rishqyrtim të këtij ligji, Deliu-Kodra tha se PDK-ja, si parti sponsorizuese e ligjit, ka zhvilluar negociata me përfaqësuesit e shumicës parlamentare për mënyrën e trajtimit të tij.
“Gjatë këtyre ditëve, PDK-ja, si parti sponsorizuese e këtij ligji, ka pasur negociata me partinë që e përfaqëson shumicën parlamentare për mënyrën se si ne do ta trajtojmë ligjin në fjalë. Ne jemi dakorduar që ta kalojmë ligjin”, tha ajo.
Megjithatë, Deliu-Kodra theksoi se palët nuk kanë arritur marrëveshje për ndryshimin e përmbajtjes së ligjit në këtë fazë.
Ajo tha se PDK-ja ka konsideruar se amendamentimi i ligjit është i mundur edhe në këtë fazë, ndërsa shumica parlamentare ka pasur një interpretim tjetër.
Sipas saj, në rrethanat aktuale ligji duhet të procedohet për miratim në Kuvend në formën në të cilën është kthyer për rishqyrtim nga Presidentja, ndërsa më pas të nisë një proces i ri për ndryshimin e tij.
Deliu-Kodra theksoi se në Kuvend do të votohet versioni aktual i ligjit dhe se për miratimin e tij nevojiten 61 vota. Në fund, deputetja e PDK-së u bëri thirrje kolegëve të saj që ta mbështesin procedimin e mëtejmë të ligjit.
Kurse Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se partia e tij do ta mbështesë procedimin dhe miratimin e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, ku po shqyrtohet vendimi i Presidentes për kthimin në rishqyrtim të këtij ligji, Tahiri tha se Kuvendi ka për detyrë që, në përputhje me Rregulloren e Punës, ta shqyrtojë dekretin e Presidentes.
Tahiri theksoi se qëndrimi i AAK-së ka qenë i njëjtë që nga dita e parë kur është marrë vendimi, duke kërkuar që shteti i Kosovës sa më shpejt të marrë përgjegjësitë e veta dhe të ndihmojë ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Ai bëri të ditur se AAK-ja do ta mbështesë qëndrimin e partisë sponsorizuese të ligjit, si në Komision ashtu edhe në seancën plenare.
Ndërkaq, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, tha se nuk duhet të votohet i njëjti version i ligjit, por të nisë një proces i ri ligjbërës, duke adresuar shqetësimet e ngritura nga vetë sponsorizuesi.
Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Vigan Qorrolli, në hapje të diskutimit theksoi se kthimi i ligjit nga Presidentja nuk nënkupton anulimin e tij, por aktivizimin e procedurës së posaçme për rishqyrtim parlamentar.
Ai tha se përgjegjësia e Komisionit është të shqyrtojë arsyet e kthimit të ligjit dhe të përgatisë raportin për seancën plenare, ndërsa vendimi përfundimtar i takon Kuvendit.
Ai gjithashtu bëri dallimin ndërmjet rikonfirmimit të ligjit të miratuar më parë dhe mundësisë për ndërhyrje të reja në të, duke theksuar se në këtë rast Kuvendi ka vetëm dy mundësi.
Qorrolli propozoi që diskutimi në Komision të përqendrohet në procedurën juridike që duhet ndjekur dhe në rekomandimin që do t’i përcillet Kuvendit.

