Një debat televiziv ka eskaluar të enjten mbrëma në studion e TËVË1, ku të ftuar ishin analisti Mustafë Kadriaj dhe analisti Nexhmedin Spahiu.
Sipas pamjeve të transmetuara, pas një përplasjeje verbale mes dy analistëve, Kadriaj është parë duke u larguar nga studioja. Megjithatë, në momentin kur po largohej, ai është kthyer në drejtim të Spahiut, duke shkaktuar tension në studio.
Në pamje shihet se Spahiu ka kapur një gotë në dorë, në atë që duket si përpjekje për t’u mbrojtur, ndërsa situata mes dy të ftuarve është tensionuar.
Megjithatë, në momentet kritike, regjia ka ndërprerë pamjet nga studioja dhe ka kaluar në një tjetër kuadër, andaj nuk është e qartë nëse ka pasur sulm fizik apo jo.
Ngjarja ka ndodhur gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë, ndërsa debati mes dy analistëve kishte nisur me tone të ashpra para se situata të tensionohej.
