Donald Trump i ka intensifikuar përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, ndërsa një valë e re aktivitetesh diplomatike gjatë javës së kaluar ka sjellë zhvillime të reja.
Ja një përmbledhje e shkurtër e ngjarjeve të fundit, për t’ju vënë në dijeni mbi situatën:
Kjo nismë e re nisi me dy ditë diskutime – të ndërmjetësuara nga SHBA-ja – mes delegacioneve ruse dhe ukrainase në Abu Dabi, më 10 dhe 11 nëntor.
Këto ishin negociatat e para të drejtpërdrejta mes palëve në nëntë muajt e fundit.
Nuk u arrit ndonjë përparim thelbësor për një armëpushim, por palët ranë dakord në parim për një shkëmbim të gjerë të të burgosurve, përcjell Telegrafi.
I dërguari amerikan, Jared Kushner, deklaroi se Uashingtoni po punon për atë që mund të shndërrohet në shkëmbimin më të madh të të burgosurve që nga fillimi i luftës.
Pas diskutimeve në Abu Dabi, të dërguarit e posaçëm të Trumpit, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, udhëtuan drejt Moskës për t’u takuar me Vladimir Putinin.
Witkoff bëri të ditur se, gjatë takimit, presidenti rus ra dakord që përfaqësues evropianë të marrin pjesë në raundin e ardhshëm të bisedimeve për paqe.
Megjithatë, gjatë bisedimeve, Putini theksoi se Kievi dhe Moska kanë interpretime të ndryshme lidhur me çështjet territoriale – gjë që konsiderohet si pengesa kryesore në negociatat për paqe.
Më pas, përfaqësuesit amerikanë udhëtuan drejt Dublinit për t’u takuar me Volodymyr Zelenskyn.
Pas takimit, presidenti i Ukrainës njoftoi se Kievi dhe Moska do të kryejnë shkëmbimin më të madh të të burgosurve të luftës deri më tani, ndërsa e vlerësoi përfshirjen evropiane si “të rëndësishme”.
Zelensky gjithashtu sugjeroi se Ukraina mund ta përdorë anëtarësimin e ardhshëm në NATO si garanci në çdo marrëveshje sigurie që do t’i jepte fund luftës.
Kjo qëndron në kundërshtim me propozimet ruse për një marrëveshje të re me Evropën, të hartuar sipas kushteve që favorizon Moska.
Megjithatë, mbeten pengesa të konsiderueshme.
Moska vazhdon të kërkojë kontrollin mbi territore në Ukrainën lindore, përfshirë pjesë të rajonit të Donbasit që mbahen ende nga Kievi.
Nga ana tjetër, Ukraina ka theksuar se nuk do të heqë dorë thjesht nga territoret e saj. /Telegrafi/

