Profesori i ekonomisë dhe ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berim Ramosaj, ka komentuar mundësinë që kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, të synojë drejtimin e LDK-së.
Në një intervistë në “Përballje Podcast” nw Telegrafi, Ramosaj tha se Përparim Rama dhe mbështetësit e tij mund ta bazojnë këtë ambicie në historinë e partisë, ku drejtimin e LDK-së e kanë marrë edhe figura që nuk kanë kaluar nëpër të gjitha nivelet e organizimit partiak.
“Edhe ai, sipas të gjitha gjasave, edhe ata që e përkrahin, bazohen në këtë histori të Lidhjes Demokratike, që në vazhdimësi ka ndodhur që udhëheqjen e LDK-së pas Ibrahim Rugovës ta marrin njerëz pa ndonjë kontribut dhe pa e kaluar atë fazën ‘junior-senior’ deri te pozita”, ka thënë Ramosaj shkruan Telegrafi.
Sipas tij, praktikat e mëhershme brenda LDK-së i japin Përparim Ramës të drejtën politike dhe demokratike që ta mendojë mundësinë e kandidimit për kryetar të partisë.
“Edhe ai ka të drejtë të mendojë, sepse kështu e ka marrë edhe Isa Mustafa më herët dhe kështu e kanë marrë shumë të tjerë atë pozicion. Në fakt, është e drejtë, në fund të fundit edhe njerëzore dhe demokratike, të mendojë”, ka deklaruar Ramosaj.
Megjithatë, ai ka ngritur dilema për raportin e Përparim Ramës me strukturat e LDK-së dhe mungesën e përvojës së tij brenda partisë.
“Nuk duhet të lëshohemi tani në atë se sa ka të drejtë apo nuk ka të drejtë, duke u bazuar në faktin se nuk ka pranuar asnjëherë të jetë anëtar i Lidhjes Demokratike”, ka thënë Ramosaj.
– YouTube www.youtube.com
Ai ka shtuar se nëse LDK-ja ka ardhur në një situatë ku drejtimin mund ta marrin persona pa përvojë dhe kontribut të veçantë në strukturat e saj, atëherë atyre mund t’u urohet vetëm sukses.
“Nëse Lidhja Demokratike ka ardhur në këtë pozicion që udhëheqjen ta marrin edhe njerëz që nuk kanë ndonjë kontribut të veçantë në parti, nuk kanë librezë të saj ose nuk kanë përvojë politike brenda LDK-së, atëherë unë vetëm mund t’u dëshiroj sukses”, është shprehur Ramosaj.
Emri i Përparim Ramës është përmendur në diskutimet publike si një nga figurat e mundshme për drejtimin e ardhshëm të LDK-së, në kohën kur brenda partisë po vazhdon debati për të ardhmen e lidershipit aktual./Telegrafi/.
