Përleshje mes protestuesve dhe policisë kanë shpërthyer në Barcelonë, pasi dhjetëra mijëra qytetarë iu bashkuan grevës së përgjithshme në Spanjë, e para në 14 vjet. Greva u thirr nga sindikatat kryesore të vendit, në shenjë proteste kundër krizës së banimit dhe rritjes së kostos së jetesës.
Rreth 120 mijë persona morën pjesë në një protestë në kryeqytetin Madrid, ndërsa më shumë se 50 mijë të tjerë dolën në rrugët e Barcelonës, transmeton klankosova.tv
Pamjet nga Barcelona tregojnë persona të maskuar duke u vënë flakën kontejnerëve të mbeturinave dhe duke thyer vitrinat e dyqaneve, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Sipas BBC, Greva shkaktoi ndërprerje të konsiderueshme në transport dhe në shërbimet e tjera publike në mbarë Spanjën.
Ministria e Brendshme bëri të ditur se dhjetëra persona janë arrestuar për incidente të ndryshme.
Greva erdhi pas protestave të gjera kundër vështirësive për të siguruar banim të përballueshëm dhe rritjes së vazhdueshme të kostos së jetesës.
Pakënaqësia u shtua pas rastit të Maricarmen Abascal, 87-vjeçares e cila u dëbua nga banesa e saj në Madrid, ku kishte jetuar për plot shtatë dekada. Ajo ndërroi jetë në spital disa javë pas dëbimit.

