KRU “Gjakova” ka përfunduar ndërhyrjen në rrugën “Nënë Tereza”, në lokacionin e njohur si “te Çerdhja e Devës”, ku kishte probleme me bllokime dhe erë të kanalizimit fekal.
Sipas KRU “Gjakova”, problemet ishin shkaktuar nga një lidhje e parregullt e rrjetit të kanalizimit të banesave.
Ekipet e ndërmarrjes kanë sanuar gypin dhe kanë ndërtuar një pusetë të re rreth katër metra të thellë, e cila mundëson qasje nga jashtë për mirëmbajtjen dhe pastrimin e rrjetit.
Pas rreth 24 orësh punë, lokacioni është kthyer në gjendjen e mëparshme.
KRU “Gjakova” ka apeluar te qytetarët që të mos hedhin mbeturina në rrjetin e kanalizimit, duke theksuar se vazhdon të jetë në shërbim të konsumatorëve. /Telegrafi/