Përfaqësuesja e Libanit në edicionin e sivjetmë të Miss Universe, Perla Harb, është përballur me kritika të shumta në rrjetet sociale për kostumin që prezantoi gjatë sfilatës me veshje kombëtare.
Ajo kishte zgjedhur një fustan të gjatë në ngjyrë ari shampanjë, të dizajnuar nga Hanadi Abboud, të cilin e kishte kombinuar me një palë krahë të quajtur “Krahët e Atdheut”, të krijuar nga Joe Bou Eid.
Kostumi ishte frymëzuar nga historia e Libanit, si dhe nga simbolet artistike e kulturore të vendit.
Në dizajn ishte përfshirë edhe shpërthimi tragjik në portin e Bejrutit.
Megjithatë, paraqitja e saj nuk u prit mirë nga një pjesë e përdoruesve të rrjeteve sociale.
Kritikat kryesisht kishin të bënin me realizimin e krahëve, vendosjen e fotografive, kombinimin e ngjyrave dhe pamjen e pjesës së pasme të tyre.
Disa ndjekës madje i krahasuan ilustrimet me fotografi të krijuara nga inteligjenca artificiale, ndërsa komentet kritikuese nuk munguan.
“Nuk mund ta besoj që doli në skenë kështu”, “Kjo është katastrofë”, “Kostumi nuk përfaqëson aspak historinë dhe kulturën tonë” dhe “Çfarë amatorizmi”, ishin disa nga komentet e publikut.
Ndërkohë, finalja e edicionit të 75-të të Miss Universe mbahet më 24 nëntor në San Juan të Porto Rikos, ku fituesja do të marrë kurorën nga meksikania Fatima Bosch. /Telegrafi/

