Për të 18-tën ditë rresht po vazhdon protesta në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, e organizuar në kundërshtim me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Protestuesit, të cilët fillimisht u mblodhën në sheshin qendror të kryeqytetit, kanë nisur marshimin në drejtim të Kuvendit të Kosovës.
Gjatë protestës është përshëndetur vendimi i Qeverisë së Kosovës për ta proceduar në Kuvend projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Qeveria, të premten në mbrëmje, më 2 tetor, njoftoi se ka miratuar vendimin për këtë projektligj dhe e ka përcjellë atë në Kuvend. Projektligji ishte propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe më pas ishte dërguar në Qeveri për shqyrtim.
Protestuesit kanë përshëndetur vendimin e Qeverisë, ndërsa gjatë protestës është theksuar se tash “topi është te Kuvendi dhe deputetët”.
Ata kanë kërkuar nga deputetët miratimin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Protestat janë zhvilluar për 18 ditë me radhë pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim./Telegrafi/