Peja do të jetë nikoqire e edicionit të tretë të “Peja Peace Forum 2026”, ku tre folës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të hapin debatin për rolin e inteligjencës artificiale në promovimin e paqes dhe sigurisë njerëzore.
Forumi do të mbahet më 14 nëntor, në Universitetin “Haxhi Zeka”, ndërsa paneli i parë, me temën “IA për paqen dhe sigurinë njerëzore”, do të zhvillohet nga ora 10:40 deri në 11:20.
Në këtë panel do të marrin pjesë Glenn A. Miller, Matthew McLeroy dhe Tina Ramirez, të cilët do të diskutojnë mundësitë që ofron inteligjenca artificiale në parandalimin e konflikteve, paralajmërimin e hershëm dhe avancimin e dialogut.
Edicioni i këtij viti mbahet nën moton “Revolucioni i Urtësisë: Vlerat njerëzore në epokën e inteligjencës artificiale”, duke vënë në qendër rëndësinë e urtësisë njerëzore, gjykimit etik dhe përgjegjësisë në përdorimin e teknologjisë.
Njëri nga folësit, Glenn A. Miller, është anëtar i Këshillit të Qytetit të Indios në Kaliforni dhe përfaqësues i distriktit të Luginës së Coachellës për kongresmenin Ken Calvert. Ai ka mbi 40 vjet përvojë profesionale dhe angazhim në organizata të ndryshme komunitare dhe humanitare.
Ndërkaq, Matthew McLeroy është president i Klubit Rotary Indio Sunrise dhe kryetar i bordit të organizatës jofitimprurëse Desert Best Friend’s Closet, e cila mbështet punësimin e personave me aftësi të kufizuara. Ai është gjithashtu i angazhuar në disa organizata të komunitetit në Luginën e Coachellës.
Në panel do të marrë pjesë edhe Tina Ramirez, presidente dhe themeluese e organizatës Hardwired Global, e cila ka punuar në Irak, Kosovë dhe rajone të tjera në fushën e edukimit për të drejtat e njeriut, dinjitetin njerëzor dhe luftimin e diskriminimit e ekstremizmit.
Ramirez do të trajtojë rëndësinë e edukimit të mësimdhënësve, të rinjve dhe liderëve komunitarë në shoqëritë e ndara, si dhe mundësitë që ofron inteligjenca artificiale për të nxitur komunikimin dhe dialogun konstruktiv.
Programi i forumit nis në orën 09:30 me ligjëratën kryesore të profesorit Ichak Kalderon Adizes, me temën “Revolucioni i Urtësisë: Urtësia njerëzore në epokën e IA-së”.
Pas panelit të parë, diskutimet do të vazhdojnë me dy panele të tjera, të fokusuara në dinjitetin njerëzor, të drejtat e njeriut, arsimin, agjentët e inteligjencës artificiale dhe përgjegjësinë njerëzore.
Forumi do të përmbyllet me prezantimin dhe nënshkrimin zyrtar të Deklaratës së Pejës 2026 nga katër partnerët themelues: Peja Peace Forum, Komuna e Pejës, Universiteti “Haxhi Zeka” dhe Rotary Club Peja.
Ky edicion organizohet edhe në kuadër të shënimit të 20-vjetorit të Rotary Club Peja, klubit të parë Rotary në Kosovë.
“Peja Peace Forum 2026” do të mbahet të shtunën, më 14 nëntor, nga ora 09:30 deri në 14:00, në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë. /Telegrafi/

