I dërguari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, për mediat serbe ka thënë se Kosova dhe Serbia, nuk duhet ta shohin zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese si kërcenim për pozicionin e tyre.
I dërguari britanik për Ballkanin Perëndimor, ka bërë të ditur se të dyja palët duhet t’i përmbushin të gjitha obligimet e marra gjatë dialogut dhe shtoi se një prej tyre është edhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.
“Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet t’i përmbushin obligimet e tyre të marra gjatë dialogut. Asociacioni është një nga ato elemente të paplotësuara, por nuk duhet të pengojë zbatimin e të tjerëve.”- tha ai.
Peach, ka bëre të ditur se për një marrëveshje të qëndrueshme nevojitët vullnet dhe guxim nga të dy palët.
Ai ka shtuar se të dyja palët kanë obligim ndaj qytetarëve të tyre që të vazhdojnë bisedimet dhe të punojnë në hapa praktik drejt normalizimit.
“Gjëja më e rëndësishme është që kjo marrëveshje të jetë e pranueshme për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë dhe të sjellë përfitime afatgjata për ta, si dhe për të gjithë rajonin. Është në dorën e liderëve të Serbisë dhe Kosovës që të bien dakord për formatin dhe përmbajtjen e saktë të asaj marrëveshjeje.”- ka deklaruar Peach.