Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Aleancës nga ora 11:00 kanë qenë edhe sot të pranishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës.
Të pranishëm aty sot ishin edhe zyrtarë të Ambasadës amerikane dhe të Bashkimit Evropian.
PDK në një njoftim për media thekson se deputetët e PDK-së ishin të pranishëm në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, ku sipas tyre do të duhej të mbahej vazhdimi i seancës konstituive.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, nga foltorja e Kuvendit, tha se Kosova është marrë peng nga deputeti Albin Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, të cilët po luajnë me fatin e vendit dhe durimin e qytetarëve.
“Kosova është marrë peng dhe kjo është për turp. Kosova është marrë peng nga një parti, e cila erdhi në pushtet me fjalë të mëdha. Kosova është marrë peng nga një parti, e cila arriti që shpresën e qytetarëve për një jetë më të mirëqenë ta keqpërdorë për ambiciet e veta për pushtet”, shtoi Musliu.
Ajo përsëriti kërkesën e PDK-së, që deputeti Kurti dhe LVV të kthehen në Kuvend për ta konstituuar këtë institucion.
“Mos luani me demokracinë, mos luani me Kushtetutën. Ejani në Kuvend dhe t’i japim fund kësaj situate, sepse e keni kthyer Kosovën në një vend pa institucione, pa ligj e pa Kushtetute”, tha ajo.
Partia Demokratike e Kosovës thekson se përsëri do t’i drejtohet kryesuesit të seancës për nga mosha, Avni Dehari, me kërkesën për vazhdimin e seancës konstituive brenda 48 orëve. /Telegrafi/
