Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa, ka bërë të ditur se, së bashku me deputetë të LDK-së dhe Aleancës, ka iniciuar kërkesën për shkarkimin e kryetares së Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës, Neime Binaku-Isufi.
Mustafa, i cili është kryetar i Komisionit për Ekonomi, ka thënë se kërkesa për shkarkim vjen si pasojë e disa shkeljeve të dyshuara ligjore, moszbatimit të vendimeve të institucioneve administrative dhe gjyqësore, si dhe përfshirjes në aktivitete politike që, sipas tij, janë të ndaluara me ligj, transmeton Zeri.info.
Ai ka theksuar gjithashtu se mungesa e llogaridhënies para komisionit parlamentar kërkon përgjegjësi institucionale.
Mustafa ka kritikuar edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, duke pretenduar se ata kanë penguar trajtimin e kësaj çështjeje në Komisionin për Ekonomi, përmes votimit të vazhdueshëm për largimin e saj nga rendi i ditës.
“Përgjegjësia për funksionimin e ligjshëm të këtij institucioni është edhe përgjegjësi e Kuvendit dhe e të gjithë deputetëve që kanë për detyrë ta mbikëqyrin atë”, ka deklaruar Mustafa./Zëri

