Pauza e kombëtareve nuk po kalon aspak qetë për Barcelonën. Hansi Flick ka disa arsye për shqetësim, pasi tri çështje që lidhen me Pau Cubarsín, Frenkie de Jongun dhe Raphinhan mund të ndikojnë në planet e tij për ndeshjet e ardhshme.
Shqetësimi i parë lidhet me Cubarsín, i cili u zëvendësua në pushimin mes pjesëve në ndeshjen Spanjë – Angli, pasi ndjeu shqetësime muskulore në zonën e kofshës.
Mbrojtësi pritet t'u nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore në Barcelonë për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një lëndim dhe sa serioz është ai.
Edhe Frenkie de Jong është kthyer në Barcelonë për kontrolle mjekësore, pasi ka ndier dhimbje në shpinë.
Përfaqësuesja e Holandës vendosi ta largojë nga grumbullimi dhe të mos e llogarisë për përballjen ndaj Gjermanisë.
Në klub ekziston kujdes i veçantë, duke pasur parasysh problemet fizike që e kishin mbajtur mesfushorin jashtë fushave në fillim të sezonit.
Ndërkohë, çështja e Raphinhas nuk lidhet me ndonjë lëndim, por me vendimin e Federatës Braziliane për ta mbajtur atë në grumbullim, pavarësisht se nuk mund të luajë në miqësoren ndaj Singaporit për shkak të suspendimit.
Kjo do të thotë se Flicku nuk do ta ketë brazilianin në dispozicion aq herët sa kishte shpresuar, në një periudhë kur Barcelona e pret një kalendar shumë të ngarkuar. /Zëri

