Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se ka pranuar një video nga një qytetar, në të cilën shihej një burrë duke ushtruar dhunë ndaj një gruaje në qytetin e Pejës.
Pas pranimit të videos, Prokuroria tha se prokurorja kujdestare nga Departamenti i Përgjithshëm ka autorizuar menjëherë Policinë e Kosovës për identifikimin e personit të dyshuar dhe të viktimës, si dhe për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore dhe ligjore.
“Hetuesit e Stacionit Policor në Pejë kanë shoqëruar në polici personin e dyshuar dhe viktimën, me qëllim të ndërmarrjes së veprimeve të mëtejshme procedurale”.
Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit të shtetit, personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë.
Prokuroria Themelore në Pejë falënderoi qytetarët për besimin dhe bashkëpunimin në raportimin e rasteve që bien ndesh me ligjin.
“Prokuroria, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për trajtimin e rasteve të tilla”.
Prokuroria Themelore në Pejë ritheksoi rëndësinë e bashkëpunimit me qytetarët në parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit, duke garantuar trajtimin e çdo rasti në përputhje me ligji.

