Disney është duke punuar për vazhdimin e komedisë ikonike të Krishtlindjeve “Home Alone” (I vetëm në shtëpi), ndërsa aktori Macaulay Culkin pritet të rikthehet në rolin e Kevin McCallister, që e bëri të famshëm në mbarë botën.
Lajmi është konfirmuar nga revista Variety, e cila raporton se skenarin e filmit të ri do ta shkruajnë Seth Rogen dhe Evan Goldberg, në bashkëpunim me yllin e filmit origjinal, Macaulay Culkin.
Projekti ndodhet ende në fazat e hershme të zhvillimit. Rogen dhe Goldberg do të jenë gjithashtu producentë përmes kompanisë së tyre të produksionit, Point Grey. Ndërkohë, detajet rreth ngjarjes dhe pjesës tjetër të kastit po mbahen ende të fshehta.
Sipas raportimit të Deadline, Culkin pritet të jetë edhe pjesë e kastit të filmit. Ideja për realizimin e vazhdimit nisi pasi aktori ia prezantoi propozimin David Greenbaumit, drejtuesit të studios filmike të Disney-t. Bëhet fjalë për një histori që do të rrëfehet nga këndvështrimi i një babai tashmë të rritur.
Foto: 20thCentFox/Courtesy Everett Collection
Vetë Culkin kishte folur edhe më parë publikisht për idenë e tij për vazhdimin e filmit. Sipas konceptit të propozuar prej tij, Kevin do të ishte një baba i ve, ose i divorcuar, i cili kujdeset për djalin e tij. Një ditë, fëmija do ta mbyllte atë jashtë shtëpisë dhe do t’i përgatiste kurthe, duke rikrijuar në një mënyrë të përmbysur situatat ikonike të filmit origjinal.
“ Shtëpia është një lloj metafore për marrëdhënien tonë”, kishte deklaruar aktori.
Filmi i parë “Home Alone” u publikua në vitin 1990, kur Macaulay Culkin, atëherë vetëm nëntëvjeçar, interpretoi personazhin e Kevin McCallister. Historia fokusohej te një djalë i vogël, të cilin familja e harron aksidentalisht në shtëpi para nisjes për pushimet e Krishtlindjeve. I mbetur vetëm, Kevini detyrohet të mbrojë shtëpinë nga dy hajdutë, duke u ngritur kurthe të ndryshme.
Dy vjet më vonë, Culkin u rikthye në të njëjtin rol në filmin “Home Alone 2: Lost in New York”, i cili e çoi historinë e Kevinit këtë herë në qytetin e Nju Jorkut.
Seria filmike vazhdoi edhe në vitet pasuese, por pa pjesëmarrjen e Culkin. Në vitin 1997 u publikua “Home Alone 3”, i ndjekur nga “Home Alone 4” në vitin 2002. Më vonë, në vitin 2012, u realizua edhe një film televiziv, ndërsa në vitin 2021 Disney publikoi ribërjen “Home Sweet Home Alone”, përmes platformës Disney+.
Ndërkohë, vitet e fundit, Culkin është rikthyer disa herë te personazhi që shënoi karrierën e tij, përmes reklamave të ndryshme. Këtë javë, aktori është shfaqur edhe në një reklamë të re festive të McDonald’s, duke rikujtuar edhe një herë nostalgjinë e filmit që vazhdon të jetë ndër më të dashurit për publikun gjatë periudhës së festave të fundvitit. /Telegrafi/

