Në stadiumin e Partizanit në Beograd është mbajtur mbledhja komemorative në nderim të Xhevat Prekazit, legjendës së futbollit që vdiq në moshën 70-vjeçare.
Salla e tribunës qendrore ishte e vogël për t’i pritur të gjithë ata që dëshironin t'ia jepnin lamtumirën e fundit ish-futbollistit të njohur.
Në mesin e të pranishmëve ishin familjarë, ish-bashkëlojtarë, personalitete të futbollit serb, si dhe një delegacion i Galatasarayt, klub ku Prekazi gjithashtu la gjurmë të jashtëzakonshme.
Në emër të Partizanit, drejtori i përgjithshëm Danko Lazoviq ia shprehu ngushëllimet për familjen dhe e vlerësoi kontributin e tij të madh për klubin, shkruan mediumi serb “Nova”, përcjell gazeta “Express”.
Emocionuese ishte edhe fjala e zëvendëspresidentit të Galatasarayt, Sedat Artukoglu, i cili e kujtoi rëndësinë e Prekazit për gjigantin turk.
“Disa futbollistë vetëm e bartin fanellën e një klubi, ndërsa të tjerët bëhen pjesë e historisë së tij. Prekazi ishte njëri prej tyre. Nuk do t'i harrojmë kurrë golat dhe gëzimet që na dhuroi”, deklaroi ai.
Përfaqësuesit turq e sollën edhe fanellën e Galatasarayt, e cila do të vendoset pranë tij në varrim.
Ish-bashkëlojtari Aca Trifunoviq i kujtoi vitet e përbashkëta te Partizani, titullin e vitit 1976 dhe golat spektakolarë të Prekazit.
“Për shtatë vite e ndamë zhveshtoren. Preki kishte një dhunti që nuk mësohet, këmbën e majtë dhe goditjen e fuqishme. Faleminderit për gjithçka që na dhurove”, u shpreh ai.
Mbledhja komemorative përfundoi me një video kushtuar jetës dhe karrierës së tij.

