Partia e qendrës së djathtë “Lista e Bashkuar” (United List) e kryeministrit letonez Andris Kulbergs ka fituar zgjedhjet parlamentare në shtetin baltik, sipas rezultateve paraprake të së dielës.
Me më shumë se 99,9 për qind të votave të numëruara, “Lista e Bashkuar” kryesonte me 35,4 për qind, sipas televizionit shtetëror.
Në parlamentin me 100 vende, partia e Kulbergsit siguroi 42 mandate, një rekord për historinë e pas-pavarësisë së ish-republikës sovjetike, raportojnë mediat lokale, shkruan Euronews, përcjell Telegrafi.
Rezultatet tregojnë për një vazhdimësi të kursit pro-evropian dhe pro-ukrainas për Letoninë.
Kulbergs, i cili mori detyrën e kryeministrit vetëm në muajin maj, tha se rezultati ishte më i lartë se sa pritej dhe përputhej me epërsinë e treguar në sondazhet e kryera pas votimit (exit polls).
“Kjo do të thotë se njerëzit vërtet duan ndryshim”, tha ai, duke shtuar se kjo nënkuptonte “rritje ekonomike” dhe “një të ardhme për fëmijët (e Letonisë)”.
Koalicioni i tij, për të cilin sondazhet parazgjedhore parashikonin dobësim, nuk do të mbijetojë në formën e tij aktuale.
Një nga anëtarët e koalicionit dukej se do t’i humbiste vendet e tij, ndërsa të tjerët patën rezultate më të dobëta se sa kishin shpresuar.
Megjithatë, edhe partitë populiste shënuan rezultate të forta, të ndihmuara nga mbështetja e pakicës rusishtfolëse të Letonisë, pas një fushate të dominuar nga frika ndaj Rusisë fqinje dhe kostoja e jetesës.
Më shumë se katër vjet pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, siguria mbetet çështje qendrore në politikën letoneze.
Si anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian që nga viti 2004, ky shtet i vogël baltik e sheh Rusinë si kërcënimin kryesor për sigurinë dhe, si përgjigje, ka rritur ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen.
Rritja e kostos së jetesës, pagat e ulëta, sistemi shëndetësor i mbingarkuar dhe rënia afatgjatë e popullsisë ishin gjithashtu tema të rëndësishme në debatet e fushatës.
Shumica e partive që pritet të hyjnë në parlament mbështesin si shpenzimet e larta ushtarake, ashtu edhe ndihmën e vazhdueshme për Kievin. /Telegrafi/