Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka njoftuar se është parandaluar një tentim për futjen e sendeve të kundërligjshme në Qendrën Korrektuese të Dubravës.
Sipas njoftimit të SHKK-së, aksioni është realizuar pas informacioneve të siguruara nga Njësia e Inteligjencës Korrektuese (NJIK), në bashkëpunim me Departamentin e Sigurisë së Qendrës Korrektuese të Dubravës dhe institucionet e tjera të sigurisë.
“Njësia e Inteligjencës Korrektuese, në bashkëpunim me Departamentin e Sigurisë të Qendrës Korrektuese të Dubravës dhe institucionet e tjera të sigurisë, ka zhvilluar një bastisje të planifikuar, e cila ka rezultuar e suksesshme”, ka bërë të ditur SHKK.
Gjatë kontrollit, zyrtarët korrektues kanë gjetur dhe sekuestruar gjashtë telefona mobilë, si dhe rreth 480 gramë substancë të dyshuar.
Për rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, e cila ka ndërmarrë veprimet e mëtejshme procedurale dhe ka sekuestruar materialet e gjetura. Ndërkohë, SHKK ka iniciuar hetimet e brendshme për të sqaruar rrethanat e rastit.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe forcimin e sigurisë në të gjitha institucionet korrektuese”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.
