KORREKT / SOT25 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Kulture

Parada e Ditës së Falënderimeve feston 100-vjetorin në Nju Jork

Parada e Ditës së Falënderimeve feston 100-vjetorin në Nju Jork

Ngjarja madhështore do të mbledhë mijëra spektatorë në Nju Jork, me balona gjigante, personazhe të dashura për fëmijë dhe performanca nga emra të njohur të muzikës.

Parada e famshme e Ditës së Falënderimeve e organizuar nga Macy’s në Nju Jork do të shënojë këtë vit 100-vjetorin e saj, me një spektakël të veçantë që pritet të mbledhë mijëra qytetarë dhe vizitorë në rrugët e qytetit.

Ngjarja, e cila është kthyer në një prej traditave më të njohura amerikane, do të zhvillohet më 26 nëntor 2026 dhe do të sjellë një program të pasur me balona gjigante, personazhe të dashura për fëmijë, muzikë dhe performanca artistike.

Një prej risive dhe atraksioneve kryesore të këtij edicioni do të jetë Blue Hippo, një balonë gjigante në formën e një hipopotami blu. Rikthimi i saj ka një domethënie të veçantë, pasi lidhet me një prej personazheve të paradës së vitit 1931, duke rikthyer një pjesë të historisë së kësaj tradite pas afro 95 vitesh.

Në mesin e personazheve që do të marrin pjesë do të jetë edhe Bluey, seriali i animuar shumë i dashur për fëmijët, si dhe figura të tjera të njohura si Hello Kitty, Mickey Mouse dhe Snoopy.

Përveç balonave dhe personazheve të animuar, organizatorët kanë përgatitur edhe një program të pasur muzikor. Në mesin e artistëve që pritet të performojnë janë këngëtarja Megan Moroney, Teddy Swims, Queen Latifah, Keke Palmer dhe JoJo. Gjithashtu, pjesë e spektaklit do të jenë Jimmy Fallon dhe grupi muzikor The Roots, bazuar ne raportimin e ABC news.

Atmosfera festive do të plotësohet nga rreth 1,000 kllounë dhe nëntë produksione të Broadway-it, duke e kthyer paradën në një spektakël të madh për të gjitha moshat.

Parada e Macy’s organizohet që nga viti 1924 dhe ndër vite është shndërruar në një simbol të Ditës së Falënderimeve në Shtetet e Bashkuara. Ajo ndiqet çdo vit nga mijëra njerëz që dalin në rrugët e Nju Jorkut, ndërsa miliona të tjerë e ndjekin përmes transmetimeve televizive.

Edhe pse nuk është një paradë e Krishtlindjeve, kjo ngjarje shënon tradicionalisht fillimin e sezonit të festave të fundvitit në SHBA, duke sjellë atmosferën festive që shoqëron javët para Krishtlindjeve.

Përvjetori i 100-të pritet të jetë një moment i veçantë për organizatorët dhe publikun, duke bashkuar nostalgjinë për historinë e paradës me personazhet, artistët dhe spektaklin që e bëjnë atë një nga ngjarjet më të njohura të Amerikës.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.