U.D. e shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, ka deklaruar se Kosova nuk mund ta marrë automatikisht statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke theksuar se vendi duhet t’i bindë të gjitha 27 shtetet anëtare të BE-së.
Në aktivitetin e organizuar për Ditën e Evropës, Palatova tha se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE kërkon mbështetje të plotë politike nga shtetet anëtare dhe përmbushje të standardeve demokratike.
“E di, zoti Kryeministër, që ju dëshironi që BE-ja të ecë përpara me aplikimin për anëtarësim, të cilin e dorëzuat gjatë presidencës çeke në Pragë. Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar që ta arrini këtë synim të radhës. Por më lejoni të jem e sinqertë: Brukseli nuk mund ta japë thjesht statusin e kandidatit. Ju duhet t’i bindni 27 shtetet anëtare”, deklaroi ajo.
Sipas Palatovës, në këtë proces janë thelbësore tri elemente kyçe, duke vënë theks të veçantë te funksionimi demokratik i Kosovës dhe organizimi i zgjedhjeve.
“Dhe për këtë, rëndësi kanë këto tri elemente kyçe. Kosova është dhe duhet të mbetet një demokraci e gjallë. Zgjedhjet parlamentare që mbahen saktësisht një muaj nga sot duhet të jenë, përsëri, të lira, të drejta dhe gjithëpërfshirëse”, shtoi ajo.
Deklaratat e saj vijnë në një kohë kur Kosova po synon avancimin e procesit të integrimit evropian dhe rritjen e mbështetjes ndërkombëtare për statusin kandidat në BE.