KORREKT / SOT24 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

“Pakicat në Serbi janë përcaktuese për formimin e qeverisë së re atje – Shqiptarë, dilni masivisht në zgjedhje”

“Pakicat në Serbi janë përcaktuese për formimin e qeverisë së re atje – Shqiptarë, dilni masivisht në zgjedhje”

Zgjedhjet parlamentare në Serbi mund të shënojnë një kthesë të rëndësishme në zhvillimet politike të këtij shteti, ndërsa pakicat kombëtare, përfshirë shqiptarët e Luginës së Preshevës, mund të marrin rol të veçantë në konfigurimin e shumicës së ardhshme parlamentare. Kështu ka vlerësuar analisti politik, Dr. Dorajet Imeri, në një intervistë për gazetën “Epoka e Re”.

Sipas Imerit, polarizimi i theksuar i skenës politike serbe dhe mundësia e një rezultati pa shumicë të qartë parlamentare mund t’i shndërrojnë mandatet e pakicave në faktor të rëndësishëm për formimin e qeverisë së re.

“Zgjedhjet që do të mbahen nesër në Serbi mund të përcaktojnë kursin e ri politik që ky shtet do të ndjekë. Sipas sondazheve aktuale, lista e studentëve është duke prirë, ndërkaq ndarja shumë e theksuar ndërmjet forcave politike krijon rrethana në të cilat pakicat kombëtare mund të marrin një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm, madje përcaktues, në formimin e qeverisë së ardhshme”, ka deklaruar Imeri.

Ai ka theksuar se në këtë konfigurim të mundshëm politik, shqiptarët e Luginës së Preshevës mund të kenë një peshë që tejkalon numrin e mandateve të tyre, veçanërisht nëse asnjëra nga forcat kryesore politike nuk arrin ta sigurojë shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë.

Lista e përbashkët, mundësi për fuqizimin e përfaqësimit shqiptar

Duke folur për rëndësinë e bashkimit të subjekteve politike shqiptare në një listë të përbashkët zgjedhore, Imeri ka vlerësuar se ky zhvillim krijon rrethana më të favorshme për përfaqësimin parlamentar të shqiptarëve.

Sipas tij, shmangia e fragmentimit të votës shqiptare përbën një përparësi të rëndësishme, pasi gara nuk zhvillohet më ndërmjet subjekteve shqiptare, por për sigurimin e një përfaqësimi sa më të fuqishëm në institucionet qendrore të Serbisë.

“Shqiptarët kësaj radhe nuk kanë garë ndërmjet tyre, por garojnë të bashkuar për të arritur një sukses të përbashkët politik. Çdo mandat i fituar do të jetë pjesë e përfaqësimit të përbashkët shqiptar”, është shprehur Imeri.

Ai ka shtuar se një organizim i tillë mund të krijojë mundësi historike për shqiptarët, jo vetëm për rritjen e numrit të deputetëve, por edhe për fuqizimin e ndikimit të tyre në proceset politike dhe institucionale.

Mandatet e pakicave mund të marrin peshë vendimtare

I pyetur nëse deputetët shqiptarë mund të jenë përcaktues në formimin e qeverisë së ardhshme, Imeri ka theksuar se kjo mundësi lidhet drejtpërdrejt me rezultatin zgjedhor dhe raportin e forcave politike në parlamentin e ri.

Sipas tij, në rast të një parlamenti të fragmentuar, edhe një numër relativisht i vogël mandatesh mund të fitojë rëndësi të konsiderueshme politike, duke krijuar hapësirë për ndikim në procesin e formimit të institucioneve.

“Ka mundësi që pakicat kombëtare në Serbi, përfshirë shqiptarët, të kenë rol përcaktues në formimin e qeverisë së re, varësisht nga rezultati përfundimtar zgjedhor”, ka deklaruar ai.
Imeri konsideron se një situatë e tillë mund të krijojë mundësi të reja që çështjet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të trajtohen me seriozitet më të madh në nivelin qendror.

Përfaqësimi parlamentar duhet të përkthehet në realizimin e të drejtave

Analisti politik ka theksuar se rëndësia e një përfaqësimi më të lartë parlamentar nuk duhet të matet vetëm me numrin e deputetëve, por mbi të gjitha me ndikimin që ata mund të ushtrojnë në përmirësimin e pozitës së shqiptarëve.

Sipas Imerit, një peshë më e madhe politike mund të krijojë hapësirë për avancimin e kërkesave që lidhen me të drejtat kombëtare, arsimin, përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, njohjen e diplomave, përfaqësimin proporcional në institucionet shtetërore dhe zhvillimin ekonomik të Luginës së Preshevës.

“Përfaqësimi më i lartë parlamentar nuk është qëllim në vetvete. Ai duhet të përkthehet në mundësi më të mëdha për realizimin e të drejtave të shqiptarëve”, ka theksuar Imeri.

Ai ka vlerësuar se, nëse mandatet e pakicave fitojnë rëndësi për krijimin e shumicës së re parlamentare, kjo mund të shërbejë edhe si mundësi për negociata politike dhe kërkimin e zgjidhjeve konkrete institucionale për problemet me të cilat përballen shqiptarët.

Pjesëmarrja në zgjedhje dhe rëndësia e momentit politik

Në fund të intervistës për “Epokën e Re”, Dr. Dorajet Imeri ka folur edhe për rëndësinë e pjesëmarrjes së shqiptarëve në procesin zgjedhor.

Ai ka vlerësuar se rrethanat aktuale politike, bashkimi në një listë të përbashkët dhe mundësia e rritjes së peshës parlamentare të pakicave e bëjnë këtë proces zgjedhor veçanërisht të rëndësishëm për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Sipas tij, pjesëmarrja qytetare është një element thelbësor i përfaqësimit demokratik, ndërsa rezultati zgjedhor do të ndikojë në mundësitë e përfaqësuesve shqiptarë për t’i artikuluar kërkesat e komunitetit në institucionet qendrore.

“Këto zgjedhje mund të shënojnë një moment historik për shqiptarët e Luginës së Preshevës, nëse përfaqësimi i tyre parlamentar arrin të shndërrohet në ndikim konkret për avancimin dhe realizimin e të drejtave të tyre”, ka përfunduar Dr. Dorajet Imeri.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.