Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se Inspektorati i Mjedisit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, ka zhvilluar kontrolle në disa lokalitete të Malit Mokna në Istog, me qëllim të parandalimit të qarkullimit të pakontrolluar të automjeteve off-road.
Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka bërë të ditur se kontrollet janë zhvilluar në Mokna, Lugun e Butë dhe Corrovodë, në zonat ku frekuentojnë përdoruesit e motoçikletave.
Ajo ka theksuar se qarkullimi i pakontrolluar i mjeteve motorike dëmton vegjetacionin, shkakton erozion të tokës, shqetëson kafshët e egra dhe ndot mjedisin përmes gazrave të shkarkimit, zhurmës dhe mbeturinave.
Gjatë këtij aktiviteti, sipas Pacollit, janë shqiptuar vërejtje për shkeljet e evidentuara.
Ministrja ka paralajmëruar se kontrollet do të vazhdojnë dhe se ndaj shkelësve do të ndërmerren masa ligjore.
“Vlerat natyrore të Moknës dhe të gjithë Parkut Kombëtar ‘Bjeshkët e Nemuna’ duhet të mbrohen. Nuk do të lejojmë që zonat tona natyrore të shndërrohen në pista për gara të cilat dëmtojnë mjedisin”, ka shkruar Pacolli.

