Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastërtia”, e cila bën grumbullimin e mbeturinave në Ferizaj, Shtime e Kaçanik, po përballet me një krizë ekonomike.
Sipas kryetarit të sindikatës, Skender Sahiti, kjo krizë i ka prekur si pasojë e rritjes së çmimit të naftës.
Kjo rritje “tolloviti” financat e kompanisë, e që si pasojë disa punëtorë s’morën paga deri nga fundi i muajit, raporton Kiks Kosova.
Shqetësime të shumta nga punëtorët erdhën te sindikalisti ngase shumica e tyre janë kryefamiljarë e kanë edhe obligime bankare.
Sipas Sahitit, kjo problematikë ka demotivuar pak punëtorët ngase nuk po e dinë as vet se kur të e presin rrogën.
E kur hallet e kaplojnë ndonjërin nga kolegët e rroga nuk është asgjëkundi, Sahiti thotë se bëhen të gjithë bashkë e i ndihmojnë.
Të gjitha problemet që po u vijnë një pas një, Sahiti thotë se shpresojnë që do u zgjidhen pas rritjes së tarifës.
Sapo këta punëtorë nisin të flasin për problemet që kanë në punë, listës nuk i shihet fundi.
Kryetari i Sindikatës, për Kiks Kosovën adresoi edhe problemin me mungesën e kamionëve të punës.
Ani pse garazhi është plot, aty po qëndrojnë me muaj të tërë kamionët me defekt.
Defektet e kamionëve nuk po rregullohen sepse kompania që disa muaj nuk ka të kontraktuar një kompani servisi që do i eliminonte këto probleme.
Meqë në dispozicion të punës kanë vetëm 6 kamionë për të mbuluar 3 komuna, Sahiti thotë se ekipet po presin me orë të tëra që të dalin në teren.
Pakënaqësi me kushtet kanë edhe punëtorët e kësaj kompanie në komunën e Shtimes.
Sipas kryetarit të Sindikatës, në objektin ku qëndrojnë ata, për disa kohë nuk patën as rrymë e tash nuk kanë ujë.
Vetëm që të pastrojnë duart pas kontaktit me mbeturinat gjatë punës, këta punëtorë detyrohen që të marrin ujë nga shtëpia ose të e blejnë atë.
Sipas Sahitit, komuna e Shtimes u ka premtuar ndërtimin e objektit të ri me të gjitha kushtet andaj po presin për të.
Një problematikë ekonomike të kompanisë, për KIKS-in e pranoi edhe drejtori ekzekutiv Basri Syla mirëpo ai mohon të ketë pasur vonesa edhe për punëtorët fizikë.
Sipas Sylës, ata po punojnë që t’i tejkalojnë këto problematika së shpejti.
Ai tha se nga komuna kanë kërkuar që të rritet tarifa e pagesës dhe një gjë e tillë tanimë veçse është votuar nga Kuvendi Komunal.
Syla për Kiks Kosovën dha shpjegime edhe për ankesat e punëtorëve të administratës lidhur me pagat, që sipas tyre janë të njëjta me ato të punëtorëve fizikë.
Punëtorët e kësaj kompanie po kanë probleme edhe me defektet e kamionëve e të cilët nuk po ka kush t’i rregullojë.
Sipas Sylës, një gjë e tillë është shumë problematike për kompaninë mirëpo çështja tenderuese ka shkuar në OShP dhe nuk është në dorën e tyre, andaj po presin.
Në vijim, ndiqni kronikat e përgatitura nga Kiks Kosova për këtë problematikë:
Ndiqeni emisionin e plotë:

