Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka deklaruar se Ligji për vlerat e luftës çlirimtare të Kosovës do të procedohet javën e ardhshme për miratim në Qeveri, përpara se të vazhdojë më pas me hapat e tjerë deri në Kuvend.
Hoti e tha këtë në seancën e sotme të Kuvendit, duke njoftuar se procesi ka nisur tashmë në ministri dhe se po hartohet koncept-dokumenti i ligjit, i cili – sipas tij – është pranë finalizimit.
“Ligji për vlerat e luftës çlirimtare të Kosovës veçse ka filluar në ministri. Për shkak të procedurave se si fillon një ligj, ne jemi duke hartuar koncept-dokumentin për ligjin që i përfshin të gjitha ato që ka me përmbajtë ligji. Ai është pranë finalizimit dhe javën tjetër do të jetë në qeveri për aprovim dhe pastaj do të fillojmë me procedura të tjera”, tha Hoti.
Ndërkohë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL UÇK) ka reaguar duke thënë se po e merr në konsideratë njoftimin se ligji pritet të procedohet në Qeveri e më pas në Kuvend, por ka theksuar se ky hap “ka rëndësi, por nuk mjafton”.
OVL UÇK ka deklaruar se prej muajsh kanë ngulmuar për këtë çështje përmes shkresave zyrtare drejtuar Qeverisë, Kuvendit dhe grupeve parlamentare, aktivizimit të strukturave në degë, deklaratave publike dhe pranisë së vazhdueshme në media, duke paralajmëruar se vonesat e mëtejshme do të provokonin “pashmangshmërisht një reagim më të ashpër”.
Organizata kërkon që procesi të ofrojë përmbajtje dhe jo simbolikë, ndërsa në formën përfundimtare teksti i ligjit – sipas tyre – duhet të pasqyrojë kërkesat e deklaruara, të mbrojë vlerat e Luftës Çlirimtare dhe të garantojë njohje të dinjitetshme për çdo kategori pjesëmarrëse.
Po ashtu, OVL UÇK ka bërë të ditur se do ta ndjekë procesin me “vigjilencë të plotë” deri në miratimin përfundimtar në Kuvend, duke theksuar se “ajo që u fitua përmes sakrificës nuk mund të zbehet, të shtyhet apo të kthehet në material për pazare politike”.