Vetëm pak ditë pas organizimit me sukses të garës ndërkombëtare të notit TEUTA CUP 2026 në Durrës, Klubi i Sporteve të Ujit OTRILA ka shënuar një tjetër sukses organizativ, duke qenë organizatori i BalkanSplash Bootcamp 2026, një kamp ndërkombëtar edukativ kushtuar zhvillimit të sporteve ujore një kamp ndërkombëtar kushtuar zhvillimit të sporteve ujore i cili u zhvillua në Banjë të Pejës më 20 dhe 21 qershor.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit BalkanSplash, duke mbledhur trajnerë, sportistë dhe trajnerë të rinj nga Kosova dhe Shqipëria, të cilët për dy ditë morën pjesë në sesione intensive teorike dhe praktike në disiplinat Finswimming dhe Water Polo.
Në kamp morën pjesë gjithsej 23 pjesëmarrës, përfshirë trajnerë, notarë me përvojë që synojnë të ndërtojnë karrierë si trajnerë, si dhe ekspertë ndërkombëtarë nga Federata Turke e Waterpolos (Türkiye Water Polo Federation – TWPF): Erhan Uysal, trajner i Kombëtares së Turqisë për meshkuj në waterpolo, dhe Furkan Serbest, trajner i Kombëtares së Turqisë për femra. Gjithashtu, pjesë e kampit ishte edhe Rubes Levada nga klubi Finswimming Team Komet, trajner i mirënjohur i finswimming-ut nga Kroacia, të cilët udhëhoqën të gjithë programin edukativ.
Gjatë bootcamp-it, pjesëmarrësit u njohën me bazat teknike të dy sporteve, rregullat ndërkombëtare të garimit, metodologjitë moderne të stërvitjes dhe praktikat më të mira evropiane për zhvillimin e sporteve ujore. Njëkohësisht, aktiviteti shërbeu edhe për zhvillimin e materialeve edukative që do të publikohen në platformën online të projektit, si dhe për krijimin e një rrjeti mentorimi online për trajnerët e rinj.
Rezultatet e pyetësorëve të plotësuar nga pjesëmarrësit treguan një nivel shumë të lartë kënaqësie dhe konfirmuan nevojën për organizimin e aktiviteteve të ngjashme edhe në të ardhmen. Pjesëmarrësit vlerësuan veçanërisht cilësinë e ligjërimeve, organizimin profesional dhe mundësinë për të shkëmbyer përvoja me ekspertë ndërkombëtarë.
Përmes këtij aktiviteti, OTRILA jo vetëm që konfirmoi rolin e saj si organizatore e një ngjarjeje ndërkombëtare me standarde të larta, por edhe kontribuoi në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe zhvillimin e sporteve ujore në Ballkanin Perëndimor.
Ndikimi i projektit tashmë po zgjerohet edhe përtej partnerëve zyrtarë. Nëpërmjet bashkëpunimeve ekzistuese, iniciativa BalkanSplash po përfshin edhe organizata të tjera sportive si Klubi i Notit Tirana, Klubi i Notit VLLAZNIMI, Klubi i Notit Orllani dhe ALUMNI FEFS, duke ndërtuar një rrjet të qëndrueshëm bashkëpunimi për promovimin dhe zhvillimin e sporteve ujore në rajon.
Në përfundim të aktivitetit, organizatorët shprehën mirënjohjen e tyre për ekspertët e Türkiye Water Polo Federation (TWPF) dhe Finswimming Team Komet Croatia, për profesionalizmin dhe kontributin e tyre në realizimin e këtij bootcamp-i, si dhe për të gjithë pjesëmarrësit që kontribuan në suksesin e aktivitetit.
Projekti BalkanSplash është bashkëfinancuar nga Programi Erasmus+ Sport, me synim zhvillimin e kapaciteteve të organizatave sportive, promovimin e sporteve ujore dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar ndërmjet partnerëve të projektit. /Telegrafi/
