Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se juristi Dr. sc. Bardhyl Hasanpapaj do të jetë pjesë e garës për zgjedhjet e 7 qershorit.
Osmani, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se rrugëtimi i tyre i përbashkët nuk ka nisur në politikë, por në vitin 2001, kur – siç shprehet ajo – ishin dy studentë të rinj që përfaqësonin Universitetin e Prishtinës në garat ndërkombëtare të drejtësisë.
Ajo ka theksuar se Hasanpapaj njihet si “zë i arsyeshëm i diskursit publik”, ndërsa ka specializuar në të Drejtën Europiane dhe Ndërkombëtare në Universitetin e Bremenit në Gjermani dhe doktoraturën e ka përfunduar në Universitetin e Firenzes në Itali.
Sipas Osmanit, ai ka udhëhequr projekte për organizata ndërkombëtare si BE, USAID, NDI, NCSC, IFC dhe EBRD, duke e shndërruar dijen profesionale edhe në ndërmarrësi.
“Jam e lumtur që edhe sot kemi pranë njerëz si Bardhyl Hasanpapaj, që me dije, integritet dhe përkushtim i japin forcë vizionit tonë për të ardhmen. Na priftë e mbara, Bardhyl Hasanpapaj”, ka shkruar Osmani në Facebook.