KORREKT / SOT11 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Osmani kritikon pushtetin: Raporti i Progresit dëshmon mungesën e përparimit në fusha themelore

Osmani kritikon pushtetin: Raporti i Progresit dëshmon mungesën e përparimit në fusha themelore

Ish-presidentja, Vjosa Osmani, në seancën e Kuvendit të Kosovës ka kritikuar pushtetin për, siç tha ajo, mungesën e përparimit të vendit në disa prej fushave më të rëndësishme për jetën e qytetarëve, duke kërkuar debat parlamentar për Raportin e Progresit të Komisionit Evropian.

Deputetja e LDK-së Osmani ka thënë se është e pakuptueshme që pushteti e kundërshton një kërkesë për debat për një temë që, sipas saj, duhet ta bashkojë spektrin politik të Kosovës, pasi bëhet fjalë për një interes strategjik të Republikës.

“Për mua është goxha e pakuptueshme pse pushteti e merr aq ngat zemrës një kërkesë për debat për një temë e cila do të duhej ta unifikonte spektrin politik të Kosovës. Një temë që ka të bëjë me atë se si mund të bëjmë më mirë për një interes strategjik të Republikës sonë, pra një temë që do të duhej të na shtynte më afër e jo më larg anëtarësimit evropian”, tha Osmani.

Ajo ka rikujtuar se në Kuvend ekziston një traditë e diskutimit të raporteve të Komisionit Evropian, duke theksuar se këto debate duhet të shërbejnë për të identifikuar të arriturat, dështimet dhe hapat që duhet të ndërmerren për përparimin e vendit.

“Ju e dini shumë mirë që tashmë ekziston një traditë e këtij parlamenti që, sa herë ka raport për vendin apo raport të progresit, ne kemi ftuar seanca ku kemi diskutuar për dështimet, përparimet dhe hapat që duhet të ndërmerren, që Kosova, jo pushteti apo opozita, por Kosova, të bëjë më mirë e të përparojë më shumë”, u shpreh ajo.

Duke folur për gjendjen në vend, Osmani ka thënë se qytetarëve nuk u nevojitet Raporti i Progresit për ta kuptuar realitetin me të cilin përballen çdo ditë.

Osmani ka kritikuar gjithashtu krahasimet e pushtetit me qeverisjet e viteve të kaluara, duke kërkuar që vlerësimi të bëhet në raport me premtimet dhe standardet që vetë pushteti aktual kishte paralajmëruar.

“Neve nuk do të na duhej një Raport i Progresit për të na përplasur të vërtetën se si po jetojnë sot qytetarët e Republikës së Kosovës. E për pushtetin e sotëm, a ka më marre sesa ta krahasoni veten me ata të viteve 2014, 2015, 2016 e 2017? Krahasojeni veten me vetveten, me standardin që e keni premtuar. Krahasojeni veten pak me vetveten tuaj të vitit paraprak”, ka thënë Osmani.

Sipas saj, Raporti i Komisionit Evropian duhet të shërbejë si një instrument për të matur përparimin real të Kosovës, përtej deklaratave dhe premtimeve politike.

Ajo ka theksuar se shqetësimi kryesor nuk është fakti që Kosova përballet me probleme, pasi sfida të tilla kanë të gjitha shtetet, por mungesa e përparimit në disa fusha themelore.

“Përfundimi më shqetësues nuk është që Kosova ka probleme, sepse çdo vend ka probleme. Përfundimi më shqetësues është se në disa fusha që janë ndër më themeloret në jetën e qytetarëve, Kosova nuk ka shënuar asnjë përparim”, përfundoi Osmani.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.