Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka thënë të premten se rasti gjyqësor për spiunazh ndaj punonjës së saj, Jelena Gjukanoviq, “ka të bëjë me një individ”, por shtoi se e respekton vendimin e gjykatës në Prishtinë për dënimin e saj me gjashtë vjet burgim.
Më 27 prill, Gjykata Themelore e shpalli fajtore dhe e dënoi me gjashtë vjet burgim Gjukanoviqin për spiunazh kundër shtetit të Kosovës.
E pyetur nga Radio Evropa e Lirë për vendimin e gjykatës, OSBE nuk deshi ta komentojë rastin, por tha se “misioni e respekton rolin e gjyqësorit dhe parimet bazë ligjore të procesit të rregullt ligjor dhe prezumimit, si dhe vendimin e gjykatës” ndaj Gjukanoviqit.
Gjukanoviq, nga Mitrovica e Veriut, ishte arrestua në pikën kufitare të Jarinjës, në veri të Kosovës në shkurt të vitit 2025, dhe prej asaj kohe ndodhet në paraburgim.
Ajo e ka mohuar fajësinë, ndërsa prokurorët kërkonin dënim me 25 vjet burgim për të.
Gjukanoviq u shpall fajtore nën aktakuzat se kishte bartur të dhëna tek Agjencia Serbe e Sigurisë dhe Inteligjencës (BIA), kishte rrezikuar rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës.
Prokurori special, Bekim Kodraliu, tha gjatë gjykimit se Gjukanoviq kishte qenë në kontakt me dy zyrtarë të BIA-s: Ratko Gajtanoviq, përgjegjës i agjencisë në rajonin e Novi Pazarit, dhe Lubisha Bukviq, zyrtar tjetër i saj.
“Me këtë të fundit, e pandehura është takuar disa herë në zyrat e BIA-s në Beograd”, deklaroi ai.
Sipas Kodraliut, Gjukanoviq ka shfrytëzuar pozitën që mbante në OSBE, duke vepruar nën ndikimin e Aleksandar Vllajiqit, i dënuar tashmë për spiunazh, si dhe zyrtarëve të tjerë të BIA-s.
Prokuroria ka thënë se Gjukanoviq ka kontribuar në krijimin e një “narrativi armiqësor” ndaj institucioneve të sigurisë, shtetësisë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
Së voni, autoritetet në Kosovë kanë arrestuar disa persona, shqiptarë dhe serbë, nën dyshimet për spiunim në shërbim të inteligjencës serbe.
Ekspertët kanë thënë se këto raste tregojnë se spiunazhi mbetet një kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës./Radio Evropa e Lirë/