KORREKT / SOT4 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Orbani, Vuçiqi dhe Netanyahu – liderët që i vizitoi Dodiku para zgjedhjeve humbën, tani ai gjendet te Trumpi

Orbani, Vuçiqi dhe Netanyahu – liderët që i vizitoi Dodiku para zgjedhjeve humbën, tani ai gjendet te Trumpi

Viktor Orban, Aleksandar Vuçiq dhe Benjamin Netanyahu kanë dy gjëra të përbashkëta këtë vit: para zgjedhjeve janë vizituar nga Milorad Dodik dhe më pas kanë regjistruar rezultate të dobëta zgjedhore.

Ndërkohë, lideri i SNSD-së ka arritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të marrë pjesë në një tubim të lëvizjes MAGA në Mar-a-Lago.

Nëse dikush kishte menduar se mbështetja e Dodikut mund të sillte fat në zgjedhje, zhvillimet e fundit mund ta kenë bindur të kundërtën.

Ish-presidenti i Republikës Serbe këtë vit ka vizituar tre prej aleatëve të tij më të afërt politikë, pikërisht në prag të zgjedhjeve. Të gjithë kanë përfunduar me rezultate zhgënjyese.

Orban: 22 ditë nga përqafimi deri te humbja

I pari në këtë listë është kryeministri hungarez, Viktor Orban. Dodik u takua me të më 21 mars në Budapest, në prag të Konferencës së Veprimit Politik Konservator (CPAC).

Gjatë takimit, Dodik i uroi Orbanit dhe partisë së tij Fidesz sukses, duke shprehur bindjen se do të fitonin bindshëm zgjedhjet, shkruan klix.ba.

Orban, nga ana tjetër, e lavdëroi Dodikun, duke thënë se Hungaria do të kishte dështuar po të kishte kaluar qoftë edhe gjysmën e asaj që kishte përjetuar lideri i Republikës Srpska.

Por, më 12 prill, partia Tisza e Peter Magyarit fitoi shumicën prej dy të tretash në parlamentin hungarez, duke i dhënë fund 16 viteve të pushtetit të Orbanit. Ky i fundit e pranoi humbjen, duke i cilësuar rezultatet të qarta dhe të dhimbshme.

Në fund të tetorit, Orban e vizitoi Dodikun në Bosnjë e Hercegovinë, këtë herë si ish-kryeministër.

Vuçiq: Dy javë plane dhe një natë zgjedhore

Me Aleksandar Vuçiqin, Dodik u takua më 11 tetor në një restorant në Beograd. Gjatë takimit, Vuçiq deklaroi se të dy vazhdonin të takoheshin dhe të bënin plane, pavarësisht se në atë kohë nuk mbanin më pozitat e mëparshme shtetërore.

Dodik i uroi Vuçiqit që së shpejti të merrte postin e kryeministrit të Serbisë.

Ai e mbështeti atë edhe gjatë fushatës zgjedhore, duke marrë pjesë në një tubim parazgjedhor dhe duke u paraqitur në selinë e Partisë Progresive Serbe (SNS) në natën e zgjedhjeve, më 25 tetor, së bashku me djalin e tij, Igor Dodik.

Megjithatë, Lista Studentore siguroi 52.9 për qind të votave. Vuçiq e pranoi humbjen po atë natë, duke thënë se rezultatet e para tregonin qartë se kishin humbur.

Netanyahu: Pritja më e gjatë, rezultat i ngjashëm

Benjamin Netanyahun, Dodik e ka vizituar dy herë gjatë këtij viti. Takimi i fundit u zhvillua më 17 shtator në Jerusalem, rreth 40 ditë para zgjedhjeve në Izrael.

Pas takimit, Dodik shkroi në platformën X se Netanyahu e kishte siguruar se do të bënte gjithçka për të krijuar një kornizë bashkëpunimi me Republikën Srpska në vitet e ardhshme.

Megjithatë, pas zgjedhjeve të 27 tetorit, blloku politik i Netanyahut siguroi 53 ulëse, ndërsa opozita 48. Partitë arabe fituan 19 ulëse.

Meqë për shumicën parlamentare nevojiten 61 deputetë, Netanyahu mbeti pa shumicën që kishte pasur më parë. Lideri opozitar, Yair Lapid, e cilësoi rezultatin si një humbje të rëndë.

Ndalesa e radhës: Mar-a-Lago

Më 2 nëntor, Dodik njoftoi se po udhëtonte drejt SHBA-së, ku do të merrte pjesë në një konferencë të lëvizjes republikane MAGA dhe do të zhvillonte bisedime me kongresistë, senatorë dhe persona të tjerë të rëndësishëm.

Një ditë më vonë, ai publikoi një mesazh të shkurtër: “Mbërrita”.

Pak pas kësaj, u publikuan rezultatet e zgjedhjeve në SHBA, ku republikanët e Donald Trumpit, të cilët Dodik i kishte mbështetur vazhdimisht, pësuan humbje të thellë.

A është Dodiku vërtet ters apo thjesht ka talentin të shfaqet pranë njerëzve pikërisht kur era politike fillon të ndryshojë, këtë do ta tregojë koha.

Megjithatë, një gjë është e qartë: këtë vit ai ka realizuar tri vizita parazgjedhore dhe të tria kanë përfunduar me zhgënjim për aleatët e tij.

Fituesi i vetëm: Vetë Dodiku

Në këtë listë ka edhe përjashtime. Pesë ditë para zgjedhjeve të përgjithshme në Bosnjë e Hercegovinë, Dodik vizitoi presidentin rus, Vladimir Putin, në Moskë. Por Putini nuk kishte zgjedhje këtë vjeshtë, prandaj nuk përfshihet në këtë bilanc.

Ndërkohë, në zgjedhjet e 4 tetorit, SNSD-ja dhe partnerët e saj ruajtën shumicën në Kuvendin e Republikës Srpska.

Kështu, i vetmi që mund të konsiderohet fitues këtë vjeshtë është vetë Dodiku. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.