KORREKT / SOT3 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

​Opozita akuzon për shkelje në Autoritetin e Konkurrencës, kërkon ndërhyrjen e Prokurorisë Speciale

​Opozita akuzon për shkelje në Autoritetin e Konkurrencës, kërkon ndërhyrjen e Prokurorisë Speciale

Deputetët e opozitës kanë adresuar një serë kritikash ndaj funksionimit të Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës, duke pretenduar për parregullsi në udhëheqjen e këtij institucioni, pamundësim të ushtrimit të mandatit të dy anëtareve dhe mosmbajtje të mbledhjeve pavarësisht kuorumit.

Këto shqetësime janë ngritur në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, ku ishte paraparë raportimi i anëtarëve të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës për gjendjen në këtë institucion.

Por, që raportimi u pamundësua në mungesë të deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje në mbledhje, raporton KP.

Kryetari i komisionit, Arben Mustafa nga PDK-ja, ka thënë se që nga maji i vitit 2025 nuk është mbajtur asnjë mbledhje e Komisionit të Konkurrencës, ndonëse, sipas tij, ka pasur kuorum.

Ai ka kërkuar sqarime nga kryetarja e këtij komisioni, Neime Binaku-Isufi, lidhur me bazën ligjore mbi të cilën dy anëtareve të emëruara nga Kuvendi u është pamundësuar ushtrimi i mandatit.

“Sipas dokumentacioneve që kemi pranuar, dy anëtareve të komisionit të emëruar nga Kuvendi i Kosovës u është pamundësuar ushtrimi i mandatit për një periudhë të gjatë kohore. Për më tepër që nga maji i vitit 2025 nuk është mbajtur asnjë mbledhje e komisionit të konkurrencës pavarësisht që ka kuorum. Dhe ajo çka dëshirojmë të dimë nga kryetarja e komisionit, Binaku-Isufi e cila është përgjegjëse, pyetja është cila është baza ligjore mbi të cilën kryetarja ua ka pamundësuar ushtrimin e mandatit të dhënë nga Kuvendi i Kosovës dy anëtareve të komisionit…Po ashtu një çështje tjetër është moszbatimi i vendimit të këshillit të pavarur mbikëqyrës për shërbimin civil të Kosovës, lidhur me drejtorin e përgjithshëm. Drejtori i përgjithshëm i autoritetit të konkurrencës i ka dy aktakuza të ngritura, por vazhdon punën normalisht”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa, anëtari tjetër në këtë komision nga Aleanca, Burim Ramadani e ka cilësuar gjendjen në këtë institucion si alarmante, duke thënë se ekzistojnë pretendime të ndërsjella për shkelje ligjore mes anëtarëve dhe udhëheqjes së Autoritetit.

“Dy shpjegimet rreth gjendjes atje, por, gjendja duket se është më shumë se alarmante, edhe nëse veç njëra palë ka të drejtë është alarmante. Pra, kemi njërën palë që pretendon për paligjshmëri për udhëheqjen, dhe kemi udhëheqjen që pretendon për paligjshmëri për palën tjetër. Si e tillë e vetmja forme publike e politike, institucionale është ballafaqimi i të dy pretenduesve. Ky ka qenë qëllimi edhe javën e kaluar dhe i sotëm…Këtë javë duket se loja me shtetin ka shkuar në një fazë tjetër duke bërë që sot kemi bojkot të deputeteve të mazhorancës, Vetëvendosjes dhe deputetit nga minoritetet, kallëzon që është mazhoranca. Është e pakuptueshme nëse gjithë mazhoranca mungon…Vetëvendosja po ik nga mbikëqyrja e institucione të cilat kanë përgjegjësi serioze… Kisha kërkuar prej Prokurorisë Speciale të ketë angazhim, të qartësohet secila situatë që është këtu”, tha Ramadani.

Edhe deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka kritikuar mungesën e mazhorancës, duke pretenduar se Autoriteti i Konkurrencës nuk ka mbajtur mbledhje për 40 muaj dhe se nuk janë trajtuar qindra tenderë, përfshirë ata të KEK-ut.

“Është shumë vështirë me një moment kur mazhoranca ka votat dhe mbivoton çdoherë vendimet. Zakonisht opozita mund të votojë dhe largojë prej mbledhjeve të komisionit, besa dhe seancave, sepse ka formë dhe metodë për me tregu se arroganca e numrit nuk është detyrimisht dhe argument i fituar. Këtu po tregohet qartë se këta nuk e kanë as argumentin që me u ballafaqua… Shihet qartë se ka edhe bashkëdyzim të interesave në këtë drejtim. Po flasim për një institucion shumë të rëndësishëm në Kosovë që për 40 muaj nuk ka mbajtur mbledhje, që ish dashtë mbi 500 deri në 800 tenderë vetëm në KEK t’i trajtojë. Rreth 200 milionë vetëm në KeK t’i trajtojnë për kontrolle në ndërmarrje dhe keqpërdorimet e parasë publike. Po shihet qartë se ka një fshehje edhe më të madhe në këtë drejtim”, tha Lushtaku.

Ndërsa, deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, ka thënë se mosfunksionimi i këtij institucioni dhe veprimet që ajo i ka cilësuar si jolegjitime janë në dëm të interesave të konsumatorëve, përfshirë mbikëqyrjen e çmimeve të produkteve bazë dhe derivateve të naftës.

“Çështja e Autoritetit të Konkurrencës ka qenë mjaft aktive edhe në legjislaturën e kaluar. Më vjen mirë që sot i ka ardh koha. Jam më së e lumtur që sot po shihet se pushteti, anëtarët e mazhorancës po i ikin ballafaqimit. Kjo vlen për dy arsyeje, aktivitetet që janë bërë brenda në Autoritetin e Konkurrencës, disa prej tyre janë jo legjitime, dhe për më tepër mungesa e anëtareve të Vetëvendosjes sot po amniston jo legjitimitetin dhe po amniston dhunën që është bërë në zyrat e Autoritetit të Konkurrencës.

Pra, nëse flasim për dhunë, sot dhuna po tejkalohet në mungesë të prezencës në komision, dhuna në zyra, dhe nuk do të thotë se dhuna bëhet vetëm në baza gjinore. Po ashtu po amnistohen aktivitetet jolegjitime dhe krejt kjo në dëm të konsumatorit. Shihet se LVV ka bërë fushatë për konsumatorin por punon me një plan që shkon në dëm të interesave si konsumatorët sot që nga produktet baze e deri tek nafta e të tjerat”, tha Ymeri.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.