Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion të gjerë në Mitrovicë dhe Vushtrri, ku janë arrestuar 26 persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari të paligjshme.
Sipas tij, aksioni është realizuar në dhjetëra lokacione dhe ka pasur në fokus hetimin e veprave penale që lidhen me organizimin e skemave piramidale dhe bixhozin e paligjshëm.
“Në të gjithë territorin e Kosovës, me të njëjtin përcaktim: luftimin e kriminalitetit pa kompromis. Përveç aksionit anti-drogë në Pejë, mbrëmë u zhvillua edhe një aksion tjetër i madh i Policisë së Kosovës në dhjetëra lokacione të ndryshme në Mitrovicë dhe Vushtrri, me objekt veprimtari të dyshimta në lidhje me veprat penale të organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm. Në këtë aksion të arrestuar përfunduan 26 persona e me rreth 150 mijë euro të sekuestruara,” ka shkruar Sveçla.
Ai ka theksuar se institucionet mbeten të vendosura në luftën kundër kriminalitetit.
“Të përkushtuar për rend dhe ligj. Kudo,” ka shtuar ai.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë lidhur me identitetin e të arrestuarve, ndërsa hetimet për rastin janë në zhvillim./Telegrafi/