Armend Xhoxhaj rikthehet në ring të shtunën për një tjetër përballje të madhe ndaj boksierit gjerman Roman Fress, në duelin e tretë mes tyre, që do të zhvillohet në Magdeburg të Gjermanisë.
Boksieri kosovar synon ta mbyllë me fitore rivalitetin me Fressin, pasi përballja e parë ishte fituar nga Xhoxhaj, ndërsa dueli i dytë kishte përfunduar me barazim kontrovers, rezultat që ishte kundërshtuar nga kampi i tij dhe shumë tifozë të boksit.
Kështu, dueli i së shtunës, i cilësuar nga organizatori SES si “Finalja e Madhe”, pritet të jetë vendimtar për të dy boksierët.
Xhoxhaj ka paralajmëruar se këtë herë nuk do të ketë vend për barazim.
“Nuk do të ketë një tjetër barazim. Jam i sigurt për këtë. Mezi po pres të shtunën, për mua mund të fillojë që tani. Jam ende pak i zemëruar”.
Trajneri i tij, Mete Alijaj, theksoi se synimi është i qartë: Fitorja.
“Ky duel është për tifozët. Shpresoj të jetë një përballje e drejtë. Natyrisht, ishim të zhgënjyer me rezultatin e duelit të fundit. Armendi duhet të hyjë në ring dhe të fitojë”.
Në anën tjetër, Fress, që renditet i pari në botë në kategorinë e tij nga WBO, synon të hakmerret për humbjen në duelin e parë.
Gjermani është përgatitur në Berlin dhe ka paralajmëruar ndryshime në qasjen e tij, duke theksuar se është i bindur në aftësitë e veta.
“Një barazim nuk i ndihmon askujt. Kam besim në veten time. Do t’i bëj të gjitha ndryshe”.
Përballja e tretë mes tyre pritet të jetë e zjarrtë, ndërsa Xhoxhaj ka lënë të kuptohet se nuk beson që dueli do të zgjasë deri në 12 raunde.
“Nuk do të na duhen 12 raunde”, nënvizoi boksieri kosovar./Telegrafi/

