Kryetari i Aleancës, Besnik Tahiri ka dorëzuar sot në Prokurorinë Speciale të Kosovës një kallëzim penal ndaj ushtruesve të detyrës në Qeverinë e Kosovës, duke pretenduar se disa vendime të marra gjatë muajit gusht janë në kundërshtim me ligjin.
Pas dorëzimit të kallëzimit, Tahiri deklaroi se Aleanca kishte paralajmëruar më herët ndërmarrjen e kësaj iniciative, pasi, sipas tij, vendimet e Qeverisë në detyrë janë vlerësuar si të kundërligjshme edhe nga juristë.
“Sot Aleanca ka deponuar në Prokurorinë Speciale, ashtu siç edhe e kemi paralajmëruar, një kallëzim penal ndaj Qeverisë në detyrë, pasi në gusht të këtij viti kanë marrë disa vendime që, në vlerësimin tonë dhe të juristëve, janë vendime që kanë rënë ndesh me ligjin”, tha Tahiri.
Sipas tij, Qeveria në detyrë ka kompetenca të kufizuara dhe nuk mund të ndërmarrë vendime që tejkalojnë mandatin e saj, përcjell Telegrafi.
Tahiri përmendi në veçanti vendimet për emërimin e komisioneve për rekrutimin e zyrtarëve të lartë shtetërorë në agjenci ekzekutive e qeveritare, si dhe procesin për përzgjedhjen e sekretarit të përgjithshëm.
“Qeveria nuk guxon të shkelë Ligjin për Qeverinë. Rrjedhimisht, kanë shkelur ligjin”, deklaroi ai.
Tahiri ngriti shqetësime edhe për ushtrimin e njëkohshëm të funksioneve legjislative dhe ekzekutive, duke argumentuar se deputetët, pas betimit në Kuvend, nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht një funksion tjetër ekzekutiv.
“Ne deputetët, të cilët betohemi në Kuvend si deputetë, nuk mund të ushtrojmë të drejtë tjetër ekzekutive. Nuk mundesh të shkosh në Kuvend si deputet e mandej si ministër në detyrë”, tha Tahiri.
Kryetari i Aleancës kërkoi që institucionet e drejtësisë të trajtojnë pretendimet e ngritura në kallëzimin penal, duke e cilësuar situatën si pjesë të një problemi më të gjerë institucional.
“Kapja e shtetit duhet të ndalet, abuzimi me funksionin publik duhet të ndalet”, përfundoi Tahiri. /Telegrafi/
