Projektbuxheti i Komunës së Junikut nuk ka marrë miratimin e Kuvendit Komunal në seancën e sotme.
Pas mosmiratimit të buxhetit, anëtari i Kuvendit Komunal nga Lëvizja Vetëvendosje, Jetmir Tofaj, e ka cilësuar këtë si një fitore në mbrojtje të bizneseve të Junikut.
Tofaj ka pretenduar se një rregullore e propozuar nga LDK-ja parashihte taksimin e bizneseve, ndërsa ka thënë se pas diskutimeve në seancë, neni përkatës është hequr nga rregullorja.
“Sot arritëm fitore të madhe në mbrojtje të bizneseve të Junikut, pasi siç e sqarova mbrëmë, LDK-ja e solli një rregullore që parashihte përsëri taksimin e bizneseve”, ka shkruar Tofaj.
“Në seancë ua thamë qartë: kjo është hipokrizi. Dhe pas argumentimit tonë, neni që taksonte bizneset u hoq nga rregullorja”, ka deklaruar ai.
Sipas Tofajt, në seancën e sotme ka dështuar të kalojë edhe buxheti i komunës, për të cilin ai ka shprehur kritika.
“Por sot ndodhi edhe diçka tjetër: buxheti nuk kaloi. Është hartuar aq keq ky draftbuxhet, saqë edhe grupi i LDK-së nuk e votoi në tërësi”, ka thënë ai.
Tofaj ka theksuar se grupi i tij nuk është kundër buxhetit, por kërkon ndryshime në të.
“Ne nuk jemi kundër buxhetit. Përkundrazi, sapo të plotësohen kërkesat tona dhe të korrigjohen këto gabime, e votojmë menjëherë, me dy duart”, ka shkruar ai.
Ai ka shtuar se qëllimi i tyre, sipas tij, nuk është bllokimi i punës së komunës, por mbrojtja e interesit të qytetarëve dhe bizneseve.
“Sepse ne nuk jemi këtu për të bllokuar. Jemi këtu për të mbrojtur interesin e qytetarëve dhe të bizneseve të Junikut. Fjalët mbahen gjithmonë. Jo vetëm kur duhen votat”, ka përfunduar Tofaj. /Telegrafi/