Poezi nga: C. K. Williams
Përktheu: Irena Dono[1]
Nuk e duroj dot mënyrën se si ky tingull-psherëtimë e pakërkuar, zë ngashëryes,
Hasëll-hasëll jo tingull, por diçka që ndihet, psherëtimë që ndihet,
vazhdon të rritet tek unë, duke më trazuar, jo me maskimin e tij të vjetër
si nostalgji, thirrje e ëmbël çmendurake e zogut të zi;
jo si kujtesë, pikëllim për gjithë ata njerëz të ikur,
dhe as si ai ngatërrimi tjetër i kujtimit, keqardhjes
për gabimet e pashlyera, gjërat e bëra keq dhe pakujdesitë,
rrënjë të ngurosura shumë thellë për të mos u shkulur kurrë;
njëfarë përzierjeje, një lëmsh i pazgjidhshëm i tretur
prej kënaqësisë së qenies së shtangur, e qenies që jeton
me frikë dhe për një frikë që zor mund ta kuptoj se e ç’lloji është,
jo mosekzistencë e vetes, e të dashurve, dashurisë;
madje as luftë, në djall lufta, psherëtima për luftën,
të qarët me dënesë për luftën, jo për luftën, paqen, ndërprerjen e përkohshme,
por, më shumë se e gjithë kjo, diçka si tingull tokësor, notë tokësore,
e kultivuar te ne tani, që fryhet brenda nesh, të gjithëve ne,
jehonë e dashurisë që patëm dhe kemi
për botën, për botën tonë,
në të cilën ne dukemi më në fund thjesht një mizëri, një vërshim i thjeshtë,
thjesht lëndë e vetëkthyer për të bërë rrëmujë, për të zhurmuar,
blic kakofonik shkatërrimi, plaçkitjeje,
zallamahi nga e cila çdo emocion tani e tutje shpërfaqet,
dhe në të cilën lëkunden, rrëshqasin, fundosen dhe shuhen
psherëtima vajtimesh, ankimesh, zhurmë dënese e pendesë keqardhjeje,
dhe ende, gjithmonë, gëzimi i trishtuar, madje edhe më i trishtuar, më i trishtuar.
________________
[1] Poezia është një meditim i thellë dhe tepër emocional mbi pikëllimin e pashmangshëm dhe ekzistencën e ëmbël dhe të hidhur të njerëzimit. Në vend që të ngrejë zërin kundër luftës apo tragjedisë në kuptimin tradicional, poeti shpreh mospëlqimin për atë trishtim mbytës e të paftuar që ngrihet vazhdimisht përbrenda njeriut, duke e lidhur gëzimin e të qenit gjallë me një ankth gjithëpërfshirës për botën. Poeti trajton pikëllimin e papritur, pendimin e ngatërruar për gabimet njerëzore dhe një melankoli këmbëngulëse e therëse.
