Daniel Dubois ka fituar bindshëm duelin e revanshit ndaj Fabio Wardleyt, duke e mposhtur me nokaut teknik në raundin e dytë dhe duke mbrojtur titullin e kampionit të botës në kategorinë e peshave të rënda, versioni WBO.
Përballja e zhvilluar në O2 Arena të Londrës përfundoi shumë më shpejt se dueli i parë, i cili në maj kishte zgjatur 11 raunde. Këtë herë, Dubois dominoi që nga fillimi, duke e vënë vazhdimisht në vështirësi kundërshtarin.
Kampioni britanik e rrëzoi Wardleyn vetëm 17 sekonda pas fillimit të raundit të parë. Sfiduesi arriti të ngrihej dhe të vazhdonte meçin, por Dubois nuk e lejoi të gjente ritmin, duke e goditur me një seri grushtesh të fuqishëm.
Dominimi vazhdoi edhe në raundin e dytë, kur Wardley u detyrua të përqendrohej kryesisht në mbrojtje. Pas një tjetër serie goditjesh të rënda, këndi i tij hodhi peshqirin në minutën e dytë e 21 sekonda të raundit, duke bërë që gjyqtari ta ndërpriste përballjen.
Me këtë fitore, Dubois vazhdon të konfirmojë fuqinë e tij në kategorinë e peshave të rënda, ndërsa Wardley pësoi humbjen e dytë në karrierën profesioniste.
Pas meçit, boksieri kroat Filip Hrgović, i cili ishte i pranishëm në sallë, kërkoi një mundësi për t’u përballur me Duboisin në një duel të mundshëm në mars, ku mund të viheshin në lojë titujt e tyre.
Dubois e kishte mposhtur më parë Hrgovicin në qershor të vitit 2024, duke i shkaktuar humbjen e parë në karrierë. /Telegrafi/

