Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se janë intervistuar ish-deputeti Gani Geci, në cilësinë e të dyshuarit, dhe gazetari Lirim Mehmetaj, në cilësinë e të dëmtuarit, lidhur me rastin e kanosjes.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, me urdhër të prokurorit kujdestar, Gani Geci është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Kanosja”, nga neni 181 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas dyshimeve fillestare, Gani Geci dyshohet se e ka kanosur gazetarin Lirim Mehmetaj për shkak të ushtrimit të detyrës dhe profesionit të tij.
“Në kuadër të veprimeve hetimore, janë intervistuar i dëmtuari L.M., dhe i dyshuari G.G. me qëllim të grumbullimit dhe mbledhjes së informatave relevante lidhur me rastin. Gjithashtu, Prokurori i çështjes ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe sigurimit të provave relevante për zhvillimin e procedurës së mëtejshme”, thotë Prokuroria./Klankosova.tv

