Pjesëtarët e Brigadës së 427-të të Veçantë Ukrainase të Sistemeve pa Pilot “Rarog” kanë goditur një helikopter rus Mi-28 në rajonin e Belgorodit në Rusi, ka njoftuar komandanti i Forcave Ukrainase për Sistemet pa Pilot, Robert “Magjar” Brovdi.
Brovdi bëri të ditur se sulmi ndodhi rreth orës 10:00 sipas kohës lokale, pranë vendbanimit Vjazove, në rajonin rus të Belgorodit.
“Mi-28 ‘Gjuetari i Natës’ i krimbave rusë u përplas me hundë në tokë”, ka shkruar Brovdi, duke përdorur një gjuhë fyese ndaj forcave ruse. Ai publikoi edhe pamjet e sulmit.
Mi-28 është një helikopter sulmues sovjetik i projektuar për zbulimin dhe shkatërrimin e tankeve dhe mjeteve të tjera të blinduara, si dhe për goditjen e objektivave ajrorë më të ngadaltë dhe forcave tokësore të armikut në kushte të mbrojtjes aktive kundërajrore.
Helikopteri është i pajisur me një top automatik 2A42 të kalibrit 30 milimetra, me 250 predha, si dhe ka katër pika mbajtëse për armatim, ku mund të vendosen raketa të drejtuara.
Sipas të dhënave të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, Rusia ka humbur 353 helikopterë që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës. /Telegrafi/
