Për sipërmarrjen shqiptare, sfida kryesore e vitit 2027 do të përcaktohet nga aftësia për të mbrojtur dhe zhvilluar asetin më të çmuar: njerëzit. Sot, departamentet e burimeve njerëzore po i lënë pas detyrat rutinë administrative për t’u shndërruar në një nga funksionet më strategjike të vetë biznesit.
Nëse pyet sot çdo drejtues apo sipërmarrës në vend për sfidën e tij më komplekse, përgjigja është pothuajse unanime: ekipi. Tërheqja e talenteve, ruajtja e tyre dhe krijimi i hapësirave për rritje mbeten sprova e përditshme e tregut. Përgjatë dekadës së fundit, tregu i punës në rajon ka pësuar një transformim të thellë. Ndërsa ndryshimet demografike kanë ngushtuar bazën e profesionistëve në sektorë kritikë, që nga teknologjia te shërbimet, një brez i ri po hyn në organizata me një qasje krejt të re mbi fleksibilitetin, kulturën e punës dhe kuptimin e zhvillimit profesional.
Në këtë realitet të ri, burimet njerëzore nuk janë më thjesht një zyrë mbështetëse, por vetë arkitektura mbi të cilën mbështetet qëndrueshmëria e kompanisë. Rekrutimi, politikat e mbrojtjes, zhvillimi i ideve, kultura organizative dhe mirëqenia funksionojnë si pjesë të të njëjtit projekt strategjik. Është pikërisht ky vizion që udhëheq shtyllën e dedikuar në Business Reset 2026: Njerëzit & Arkitektura e HR, një konceptim që shënjon kalimin përfundimtar nga administrimi i stafit drejt projektimit të së ardhmes.
Përpara se të kërkojmë rezultate, çdo drejtues duhet t’u përgjigjet këtyre pyetjeve:
–Sa mirë e njohim realitetin e brendshëm të ekipit tonë?
–A po e identifikojmë dhe ushqejmë potencialin individual të çdo anëtari?
–Si ndikon kultura e punës, mirëqenia dhe motivimi në rezultatet financiare të kompanisë?
–A i kemi dhënë departamentit të HR-it peshën dhe mjetet e duhura për të udhëhequr strategjinë e së ardhmes?
Katër tema kryesore do të udhëheqin diskutimin e këtij edicioni.
E para është rekrutimi dhe ruajtja e talenteve. Kostoja e largimit të një punonjësi shkon përtej procesit të ri të rekrutimit: ajo përfshin muajt e produktivitetit të humbur, dijen e çmuar që largohet bashkë me të dhe mbingarkesën që bie mbi pjesën tjetër të ekipit. Kompanitë që e llogarisin saktë këtë faturë, e shohin mbajtjen e njerëzve si një investim me kthim të lartë strategjik.
E dyta lidhet me hyrjen e Gjeneratës Z në tregun e punës. Ky brez, që po zë gjithnjë e më shumë peshë në organizata, kërkon kuptim te puna që bën, feedback të vazhdueshëm dhe një horizont të qartë zhvillimi. Kompanitë që i përshtatin strukturat e tyre me këto pritshmëri, fitojnë besnikërinë e gjeneratës që do të udhëheqë sipërmarrjen në dekadën e ardhshme.
E treta është stresi kronik dhe balanca punë–jetë. Burnout-i nuk ndodh brenda natës; ai shfaqet gradualisht në gabime të vogla operative, humbje e entuziasmit të përditshmërisë dhe dorëheqje që duken të papritura. Organizatat që investojnë me pjekuri te mirëqenia, arrijnë rezultate të drejtpërdrejta në produktivitet, kreativitet dhe qëndrueshmërinë e klimës së tyre të brendshme.
E katërta është kultura organizative, e cila nuk është thjesht një deklaratë vlerash, por diçka që ndërtohet çdo ditë përmes vendimeve të vogla të drejtuesve: mënyrës se si komunikojnë feedback-un, se si menaxhojnë gabimet dhe se si e vlerësojnë arritjen e cilitdo anëtar.
Zërat që do të udhëheqin këto diskutime sjellin në Tiranë metodologji të sprovuara ndërkombëtarisht. Toby Lee vjen personalisht nga The Predictive Index, një sistem i njohur i vlerësimit të sjelljes që prej vitit 1955 përdoret nga organizatat më të suksesshme në botë. Pasi të prezantojë perspektivën e tij në Main Stage, The Predictive Index do të zhvillojë pasdite workshop-in “Your Personality at Work”, ku do të zbërthehet se si përdoren të dhënat e sjelljes për të vendosur njeriun e duhur në rolin e duhur, për të ndërtuar ekipe me ekuilibër të lartë dhe për të zhvilluar udhëheqës që e kuptojnë thellësisht ekipin e tyre.
Paralelisht, Dalina Gjiçali, Managing Director dhe Partnere në EPPC Albania & Kosovo, përveç fjalimit në Main Stage, do të drejtojë sesionin praktik “Who Gets a Raise and Why?”. Ajo do të shpjegojë ndërtimin e skemave të pagave që janë njëkohësisht të drejta, konkurruese dhe të qëndrueshme financiarisht, duke u ofruar punonjësve transparencë dhe drejtuesve një bazë objektive vendimmarrjeje.
Perspektivën e zhvillimit të lidershipit e plotëson Radoslava Krosneva nga International Coaching Federation (ICF), organizata më e madhe globale e trajnimit profesional. Pas prezantimit në Main Stage, ajo do të drejtojë workshop-in “Becoming the Leader Your Ego Won’t Let You Be”, duke e kthyer trajnimin ekzekutiv në një mjet kyç transformimi për sipërmarrësit.
Analizën e tregut të punës e thellon më tej Spartak Alibali nga Deloitte, i cili në workshop-in “Recruitment Market Trends” do të zbërthejë prirjet më të fundit të rekrutimit, lëvizjet e talenteve dhe strategjitë e reja që duhet të ndjekin kompanitë për të mbetur konkurruese në tërheqjen e profesionistëve.
Gjithashtu, Jonel Kristo, themelues i ISN Albania, do të mbyllë seancën e mëngjesit në Main Stage duke trajtuar vlerën e Retreat-eve organizative dhe mirëqenies në punë. Programi i HR-it pasdite plotësohet më tej edhe me seanca strategjike mbi sinergjinë mes HR-it dhe Marketingut për vitin 2027.
Shtylla e HR-it vjen me një dimension krejtësisht praktik. Në Experience Zone, hapësira e dedikuar People & Talent Corner u krijon mundësi kompanive partnere të promovojnë pozicionet e tyre të hapura dhe të pranojnë aplikime të menjëhershme në vend, përmes kodeve QR, tabletave dhe formularëve. Në këtë mënyrë, diskutimi mbi talentet shndërrohet në rekrutim konkret, brenda së njëjtës ditë dhe në të njëjtin mjedis.
Për liderët e HR-it, ky format ofron një përfitim të veçantë: mundësinë për të ndjekur këto raste studimi krah për krah me CEO-n dhe drejtuesit e marketingut. Kur i gjithë ekipi ekzekutiv ndan të njëjtin vizion mbi sfidat e kapitalit njerëzor, projektet dhe investimet në HR marrin mbështetjen e menjëhershme që meritojnë.
Kompanitë që do të udhëheqin tregun në vitet e ardhshme janë ato ku profesionistët më të mirë zgjedhin të qëndrojnë, të kontribuojnë dhe të rriten. Business Reset 2026 u vendos drejtuesve në duar mjetet e duhura për të ndërtuar pikërisht këto organizata.
Business Reset zhvillohet më 15 tetor 2026 në Hotel Marriott Tirana.
Biletat gjenden në businessreset.al.

