Stephen Graham ka rrëfyer se si një deklaratë dashurie ndryshoi gjithçka në marrëdhënien me bashkëshorten e tij, Hannah.
Aktori tregoi se, pas pesë vitesh në një marrëdhënie pa angazhim të qartë, ajo kishte vendosur të shpërngulej në Spanjë për të jetuar me një burrë që kishte njohur atje.
Çifti u njoh në rini, kur të dy ndiqnin studimet për aktrim në Kolegjin Rose Bruford në Kent. Graham pranoi se në atë kohë kishte vështirësi për t’u angazhuar seriozisht dhe, megjithëse ishin afër njëri-tjetrit, për pesë vjet nuk e kishte ftuar Hannah-n në një takim të mirëfilltë, shkruan DailyMail.
Gjithçka ndryshoi kur Hannah u kthye nga Spanja dhe i tha se dëshironte të jetonte atje me një burrë të quajtur Paco. Kjo e bëri aktorin të kuptonte se nuk donte ta humbiste.
Ai e ftoi për herë të parë në një takim, ku panë filmin Saving Private Ryan dhe më pas darkuan në një restorant. Meqë Hannah do të nisej për në Spanjë pas dy ditësh, Graham i shprehu dashurinë, ndërsa ajo i tha se kishte pritur pesë vjet për t’i dëgjuar ato fjalë.
Në fund, ajo nuk u largua dhe vetëm tri ditë pas takimit të tyre të parë, nisën të jetonin bashkë.
Çifti u martua në vitin 2008 dhe ka dy fëmijë, Grace dhe Alfie. Graham ka folur gjithashtu për sakrificat që bashkëshortja bëri për karrierën e tij.
Kur të dy u bënë prindër, Hannah e la përkohësisht aktrimin dhe punoi si mësuese e dramës dhe anglishtes, për t’i siguruar familjes të ardhura të qëndrueshme ndërsa ai ndiqte ëndrrën e tij profesionale.
Megjithatë, Hannah është rikthyer në aktrim dhe ka bashkëpunuar me të shoqin në projekte si This Is England dhe drama Time.
Ajo ka treguar më parë se fillimisht ishte zemëruar kur Stephen e kishte sugjeruar për një rol, pasi dëshironte të vlerësohej për aftësitë e saj dhe jo për shkak të bashkëshortit. Për këtë arsye, ajo vendosi të kalonte nëpër procesin e zakonshëm të përzgjedhjes dhe të realizonte vetë audicionin. /Telegrafi/