Rruga “Ndrel Nika”, e cila lidh fshatrat Drelaj dhe Malaj të Rugovës dhe është rreth gjashtë kilometra e gjatë, vazhdon të mbetet e paasfaltuar.
Banori i kësaj zone, Besnik Lajçi, thotë se për rregullimin dhe asfaltimin e rrugës u është drejtuar institucioneve për rreth 12 vjet, por sipas tij, deri më tani nuk ka pasur zgjidhje konkrete.
“Problemi kryesor është rruga. Rrugën e ka blloku Gazmend Muhaxheri, që shumë vite na premton që do ta asfalton. Ka qenë rruga e parë në Rugovë që është hapur. Me vetëfinancim e kam hapur rrugën mbi gjashtë kilometra”, ka thënë Lajçi.
Ai ka theksuar se përgjatë kësaj rruge ndodhen disa objekte dhe pika me rëndësi për zonën.
“Këtu janë tetë shtëpia të gurit, është restorant, është muze, është amfiteatri dhe ky objekt është objekt i cili do të bëhet një lloj sanatoriumi për ata njerëz që kanë probleme me frymëmarrje, me astmë dhe me stres”, ka deklaruar ai.
Lajçi ka ngritur edhe pretendime lidhur me hapjen e një segmenti tjetër të rrugës.
“Këta zotnitë e komunës dojnë me hapë një rrugë 200 metra, rrugë të re, pa nevojë, në pronën e një personi, kur në emër të atyre 200 metrave këta dojnë me përfitu gjashtë kilometra, të cilët me përvetësu, domethënë me thanë që na i kemi hapë gjashtë kilometra rrugën. Kjo domethënë është hajni, është korrupsion”, ka thënë Lajçi.
Sipas tij, kjo rrugë është e rëndësishme edhe për banorët e Malajt, të cilin e përshkruan si fshat të izoluar.
“Kjo rrugë i lidh dy fshatrat, fshatin Drelaj dhe fshatin Malaj.Fshati Malaj është një fshat i izolum, i cili s’ka kurrfarë lidhje me fshatrat e tjerë, kështu që unë e kam lidhë fshatin Malaj”, ka deklaruar ai.
Lajçi ka kritikuar edhe gjendjen e rrugës së re që, sipas tij, është hapur në Malaj.
“Rruga e re që kanë çelë para disa vite në fshatin Malaj, ajo rrugë është e vdekjes. Kur të bjen shi, bie një borë, aty ma s’kalon kush, kurse kjo rrugë është rrugë që e rreh rrezja e diellit”, ka thënë ai.
Ai ka kërkuar nga institucionet komunale që të ndërhyjnë për zgjidhjen e problemit.
“Neve na kanë lidhë, na kanë mohu të drejtën që të punojmë dhe të jetojmë. Unë i bëj thirrje Gazmend Muhaxherit, njerëzve të tij, le ta dinë që borxh më kanë. Unë jam njeri i paqes, njeri i kompromisit, durimi e ka një fund. Mua tash ka nisë gradualisht tu m’hup durimi dhe tash e di adresën te cili njeri është, që më bojkoton. Unë nuk jepi mito, nuk jepi toka askujna, sepse është e drejta ime të jetoj sikur qysh jetojnë tjerët”, ka deklaruar Lajçi.
Ndërkohë, zëdhënësi i Komunës së Pejës, Valmir Deqani, ka thënë se Komuna investon vazhdimisht në fshatrat e Rugovës.
“Ne si komunë jemi duke investu në fshatrat e Rugovës pothuajse çdo vit. Ne ndajmë rreth dy milionë euro çdo vit nga investimet kapitale që të investohen në pjesën e Rugovës”, ka thënë Deqani.
Sipas tij, një pjesë e rrugëve në Malaj është asfaltuar më herët, ndërsa punimet po vazhdojnë edhe në pjesën e Drelajve.
“Ne e kemi përfundu pjesën e Malajve qysh në vitin 2017, nëse nuk gaboj, aty janë rreth gjashtë kilometra rrugë e asfaltuar.
Në pjesën e Drelajve tani jemi duke asfaltuar dhe aty është një shteg prej gjashtë kilometrave gjithashtu”, ka deklaruar Deqani.
Sa i përket kërkesës për asfaltimin e rrugës “Ndrel Nika”, Deqani ka thënë se kërkesa e bërë në Komunë lidhet me një segment prej rreth dy kilometrash.
“Mirëpo kërkesa që është ardhë te ne që të bëjmë asfaltimin e kësaj zone është rreth dy kilometra dhe është vetëm për një shtëpi. Kërkesën nuk e kemi zyrtarisht, por është bërë nga një banor i atij fshati”, ka thënë ai.
Deqani ka theksuar se rruga nuk është asfaltuar për shkak të statusit të pronës.
“Kjo rrugë nuk është asfaltu për arsye se rruga është e hapur dhe ekziston shumë moti, por ekziston pronë private”, ka deklaruar zëdhënësi i Komunës së Pejës. /Telegrafi/