Gjykata Themelore në Gjilan, Dega në Viti, ia ka caktuar një muaj paraburgim të dyshuarit me inicialet H. Y., nën dyshimin për sulm ndaj personit zyrtar.
Sipas njoftimit të Gjykatës, rasti ka ndodhur më 4 nëntor, rreth orës 14:00, në fshatin Sadovinë e Jerlive të komunës së Vitisë, gjatë një ekzaminimi të terrenit në kuadër të një lënde civile.
Gjatë këtij veprimi procedural, i cili po zhvillohej nga gjyqtarja e rastit, i dyshuari H. Y., i pranishëm në vendngjarje, dyshohet se ka ndërhyrë në mënyrë agresive, duke ndërmarrë veprime të drejtpërdrejta kundër gjyqtares dhe duke cenuar integritetin e saj fizik, transmeton Zeri.info.
Sipas Prokurorisë, me këto veprime i dyshuari dyshohet se ka kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, e sanksionuar me Kodin Penal të Kosovës.
Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, pasi masat e tjera alternative nuk do të ishin të mjaftueshme për zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale. /Zëri

