Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar nga një muaj paraburgim për dy persona të dyshuar për grabitjen e dy argjendarive në Gjakovë, ku u vodhën stoli ari dhe para, ndërsa gjatë njërës prej grabitjeve u plagos edhe një person me armë zjarri.
Të dyshuarit A.U. dhe L.I., shtetas të Kosovës, dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Grabitja”, ndërsa A.U. dyshohet edhe për armëmbajtje të paautorizuar.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, rasti i parë ka ndodhur më 5 nëntor 2026, rreth orës 17:15, në argjendarinë “Xhintoni”, në rrugën “Nënë Tereza” në Gjakovë.
Të dyshuarit, të maskuar dhe të armatosur, dyshohet se kishin marrë me qira një veturë në Deçan, së cilës ia kishin vendosur targat e vjedhura.
Gjatë grabitjes, A.U. dyshohet se kishte kërcënuar me armë pronarin e argjendarisë dhe nënën e tij, ndërsa L.I. kishte thyer vitrinat me çekan dhe kishte marrë stoli ari në vlerë prej 27 mijë eurosh, si dhe 1 mijë e 600 euro para të gatshme.
Ndërkaq, grabitja e dytë dyshohet se ka ndodhur më 16 nëntor, rreth orës 16:56, në argjendarinë “Balt Simoni”, në rrugën “Sylejman Hadum Aga”, po ashtu në Gjakovë.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit kishin vepruar në mënyrë të ngjashme, duke përdorur një veturë të marrë me qira në Pejë, së cilës ia kishin vendosur targa të vjedhura.
Gjatë kësaj grabitjeje, A.U. dyshohet se kishte kërcënuar me armë pronarin dhe familjarët e tij, ndërsa L.I. kishte thyer xhamat e argjendarisë dhe kishte marrë stoli ari.
Në momentin e grabitjes kishte ndërhyrë një person, ndaj të cilit i dyshuari A.U. dyshohet se kishte shtënë me armë zjarri, duke e plagosur në këmbën e djathtë.
Pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë dhe mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtari i procedurës paraprake, Samedin Cena, ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit.
Dy të dyshuarit do të qëndrojnë në paraburgim nga 17 nëntori deri më 17 dhjetor 2026.
Ndaj këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Lajmi.net/
Postimi i plotë:

