Një grup dypartiak ligjvënësish amerikanë nisën të martën një iniciativë për të zhvendosur sesionin vjetor të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për vitin 2027 nga Beogradi në Charleston, Karolinën e Jugut.
Ligjvënësi republikan Joe Wilson do të paraqesë një rezolutë të përbashkët në Kongres, të mbështetur nga 40 bashkënënshkrues, duke bërë thirrje që Charleston të jetë pritës i sesionit. Megjithatë, oferta e Beogradit për këtë pozicion mbështetet nga disa republikanë me ndikim, transmeton Telegrafi.
Charleston dhe Beogradi janë kandidatë për të pritur sesionin vjetor të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, e cila bashkon delegatë parlamentarë nga 57 shtete anëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Kanadanë dhe disa vende të Azisë Qendrore. Organizata ka qenë kryesisht e shqetësuar vitet e fundit me pasojat e pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Ndërsa të dyja palët përmendin arsye logjistike dhe organizative për mbështetjen e kandidatit të tyre, mosmarrëveshja është në fakt një pasqyrim i një debati më të gjerë në Uashington mbi marrëdhëniet me Serbinë, e cila mban lidhje të ngushta si me Moskën ashtu edhe me administratën e presidentit Donald Trump, raporton Reuters.
Disa nga anëtarët e Kongresit Amerikan besojnë se Uashingtoni duhet të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj Beogradit për shkak të lidhjeve të forta ekonomike dhe energjetike të Serbisë me Rusinë dhe refuzimit të saj për t’u bashkuar me sanksionet perëndimore kundër Moskës.
Të tjerë, nga ana tjetër, theksojnë se bashkëpunimi me qeverinë serbe duhet të vazhdojë në mënyrë që vendi, i cili dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, të harmonizohet gradualisht me Perëndimin.
Wilson, i cili është bashkëkryetar i Komisionit të Helsinkit të Kongresit Amerikan, tha se mbajtja e seancës në Charleston do të tregonte angazhimin e SHBA-së ndaj OSBE-së dhe anëtarëve të saj.
Ai gjithashtu kritikoi Serbinë për qëndrimin e saj ndaj Kosovës, pavarësia e së cilës u njoh nga Uashingtoni, ndërsa Beogradi ende e ka bërë një gjë të tillë.
Midis bashkë-nënshkruesve të rezolutës është William Keating, demokrati kryesor në nënkomisionin evropian të Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.
Keating tha se seanca vjetore duhet të mbahet në SHBA në mënyrë që të theksohet roli i rëndësishëm i Uashingtonit në institucionet shumëpalëshe.
Wilson vuri në dukje se oferta e Charleston kundërshtohet nga senatori republikan Roger Wicker, kryetar i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit dhe senatori kryesor në Komisionin e Helsinkit.
Sipas Wilson, Wicker besonte se Kongresi mund të mos miratonte paratë për të mbajtur tubimin në Charleston, por Wilson e hodhi poshtë këtë vlerësim.
Nuk është e qartë nëse Kongresi do ta diskutojë fare rezolutën, sepse pas pak ditësh përfaqësuesit do të shkojnë në pushime verore që do të zgjasin deri në shtator. /Telegrafi/
