Pas humbjes së Kroacisë 4-2 ndaj Anglisë në ndeshjen hapëse të Grupit L, Gana mori tre pikë të mëdha duke mposhtur Panamanë me rezultat minimal 1-0 falë një goli dramatik të Caleb Yirenkyt në minutën e pestë të kohës shtesë.
Goli i mesfushorit 20-vjeçar jo vetëm që i siguroi Ganës një fitore të vlefshme, por e futi atë edhe në historinë e Kupës së Botës. Në moshën 20 vjeç e 153 ditë, Yirenkyi u bë lojtari më i ri në historinë e Botërorëve që shënon golin e fitores në kohën shtesë.
Me këtë arritje, talenti ganez theu rekordin e mbajtur për 36 vjet nga uruguaiani Daniel Fonseca, i cili në Botërorin e vitit 1990 realizoi golin vendimtar kundër Koresë së Jugut në moshën 20 vjeç e 281 ditë.
Pas Yirenkyt dhe Fonsecas në këtë listë historike renditen Haris Seferović, i cili shënoi për Zvicrën kundër Ekuadorit në vitin 2014 në moshën 22 vjeç e 113 ditë, Harry Kane për Anglinë ndaj Tunizisë në Botërorin 2018 në moshën 24 vjeç e 325 ditë, si dhe Edgar Davids, i cili i dha Holandës fitoren ndaj Jugosllavisë në vitin 1998 në moshën 25 vjeç e 108 ditë.
Yirenkyi, i cili u bë heroi i Ganës në fundin dramatik ndaj Panamasë, tashmë ka siguruar vendin e tij në librat e historisë së Kupës së Botës. /Telegrafi/
