Në Shkollën Fillore “Emin Duraku” në Shtime kanë nisur vizitat sistematike shëndetësore për fëmijët parashkollorë dhe nxënësit e klasave të para, në kuadër të planit për promovimin dhe ruajtjen e shëndetit të tyre.
Ky aktivitet po realizohet nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Dr. Vezir Bajrami”, me fokus në kujdesin e hershëm dhe parandalimin e problemeve shëndetësore.
“Vizitat sistematike po zhvillohen me qëllim të zbulimit të hershëm të problemeve shëndetësore dhe mbështetjes së zhvillimit të shëndetshëm të fëmijëve”, bëhet e ditur në njoftim.
Ekipi mjekësor, i përbërë nga mjekë dhe infermierë, ka nisur realizimin e kontrolleve të plota në institucionet parashkollore dhe shkollat fillore publike në komunën e Shtimes.
Gjatë këtyre vizitave përfshihen matja e peshës dhe gjatësisë, vlerësimi i shikimit dhe dëgjimit, kontrolli oral, vlerësimi i zhvillimit psikomotorik, si dhe këshillimi për higjienën personale, ushqyerjen dhe aktivitetin fizik.
Po ashtu, bëhet kontrolli i vaksinimit sipas kalendarit të imunizimit, si dhe jepen rekomandime për trajtim të mëtejmë sipas nevojës.
Në aktivitet ka qenë e pranishme edhe kryeinfermierja e QKMF-së, e cila ka theksuar rëndësinë e parandalimit të hershëm për një zhvillim të shëndetshëm të fëmijëve.
“Qëllimi kryesor i këtyre vizitave është zbulimi i hershëm i çrregullimeve të mundshme shëndetësore, ofrimi i ndërhyrjeve në kohë dhe edukimi shëndetësor për fëmijët, familjet dhe mësimdhënësit”, thuhet në njoftim.
Përmes këtij aktiviteti synohet promovimi i zhvillimit të shëndetshëm fizik, emocional dhe social të fëmijëve, si dhe lehtësimi i qasjes në shërbimet bazë shëndetësore në komunë. /Telegrafi/