Kanë nisur punimet për rikonstruktimin e rrugës rajonale R119, në segmentin Kijevë–Malishevë, projekt në vlerë prej 2.3 milionë eurosh që parashihet të përfshijë rehabilitimin e mbi 11 kilometrave rrugë.
Në nisjen e punimeve, kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se ndërhyrja është “jetike” për Malishevën dhe zonën e Llapushës, duke theksuar se projektet infrastrukturore do të vazhdojnë edhe përkundër zhvillimeve politike.
“Janë bërë shumë përpjekje për të na ndalur… por ne nuk i ndalim punët e reja, të mira e gjithsesi të dobishme për qytetarët e Republikës”, u shpreh Kurti, duke shtuar se rindërtimi i kësaj rruge përbën investim të rëndësishëm për banorët e zonës.
Sipas tij, rruga shërben si lidhje kyçe e Malishevës me pesë fshatra përgjatë këtij segmenti dhe projekti parasheh rindërtim të plotë, nga baza deri në asfaltimin final. Ai bëri të ditur se në këtë fazë po nis puna në një segment rreth 8.5 kilometra, ndërsa për pjesën e mbetur pritet të procedohet së shpejti me aktivitetet e prokurimit.
Kurti deklaroi se, sipas operatorit ekonomik, punimet pritet të përfundojnë brenda 225 ditëve pune, ndërsa projekti synon të rrisë sigurinë në qarkullim dhe të ulë kostot për bizneset. Ai përmendi se trajtimi i kanalizimit të ujërave atmosferikë do të jetë pjesë e punimeve, me qëllim që rruga të jetë më e qëndrueshme.
Ndërkaq, ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha, tha se për herë të parë po bëhet rehabilitim i plotë i kësaj rruge, e cila, sipas tij, ndër vite ishte trajtuar kryesisht përmes mirëmbajtjes.
“Kjo rrugë me dekada është menaxhuar përmes mirëmbajtjes… tani po rehabilitohet e tërë rruga, pra mbi 11 kilometra”, tha Basha, duke sqaruar se segmenti i parë prej rreth 8 kilometrash është pjesë e kontratës së parë, ndërsa më pas do të procedohet edhe me segmentin e dytë prej rreth 3 kilometrash.
Ai shtoi se projekti parasheh edhe trotuare të reja aty ku ka nevojë, trajtim të ujërave atmosferikë dhe rregullim të stacioneve të autobusëve. /Telegrafi/